PZAP lë jashtë kandidatët e dënuar në 3 vitet e fundit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar të certifikojë për zgjedhjet e 14 Shkurtit kandidatët që kanë probleme me ligjin përfshirë edhe bartësin e listës së LVV-së Albin Kurtin, ndërsa ka certifikuar vetëm kandidatët që i plotësojnë kushtet ligjore.

Për më tepër kandidatët e refuzuar nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë në listat zgjedhore.

PZAP në vendimet e saj gjithashtu ka konstatuar se Zyra për Certifikimin e Subjekteve Politike ka tejkaluar kompetencat kur ka rekomanduar të premten në mbledhjen e KQZ-së që të certifikohen të gjithë kandidatët.

Në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ishin 9 ankesa të partive politike për moscertifikim të disa kandidatëve të tyre për deputetë nga KQZ-ja. KQZ do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së.

Kandidatët e pakënaqur me vendimin kanë 24 orë afat për t’u ankuar në Gjykatën Supreme ndërsa “Supremja” ka afat tre dite për të marrë vendim. Procesi i certifikimit mbyllet më 31 Janar.

Për procesin e certifikimit të kandidatëve që kanë problem me ligjin kanë reaguar edhe ambasadorët e huaj në Kosovë të cilët kanë kërkuar respektimin e sundimit të ligjit.

Tv Klan