Emergjenca koronavirus sjell edhe emergjencë psikologjike. Në Itali prej ditësh tashmë janë aktivizuar operatorë të psikologjisë që virtualisht mund t’i vijnë në ndihmë njerëzve të izoluar kudo. Nuk është izolimi në vetvete problemi i vetëm, por kjo situatë e agravuar po përjetohet shumë më rëndë tek ata persona që kanë pësuar një humbje familjare si pasojë e koronavirusit dhe paaftësia për të qenë pranë njerëzve të dashur, detyrimi për vijimin e izolimit, pra ankth, depresion, pagjumësi, atake paniku dhe pasiguri për të ardhmen janë shenjat e përgjithshme që vërehen më tepër.

Sipas mjekëve të mendjes, situata globale është mjaft e rëndë, jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe nga ajo psikologjike, që në fund të kësaj historie askush nga ne nuk do të jetë më si më parë. Kjo pasi pasiguria, thyerja e një rutine të konsoliduar njerëzore kanë ndikuar thellë në psikikën tonë dhe kjo do të jetë një tjetër sfidë për t’u përballuar në mbyllje të pandemisë.

Psikologët thonë që duhet menduar pozitivisht, përtej ekstremitetit që po jetojmë dhe kjo situatë, kur të përfundojë, do na bëjë të vendosim ekuilibra të rinj, pasi kjo pandemi shkaktoi një traumë njerëzore të paprecedentë. Është diçka e thyer që do na ndryshojë përgjithmonë, por do të jemi ndërgjegjësuar mbi brishtësitë tona, duke vendosur prioritete të tjera në natyrën njerëzore, me të thjeshta e thelbësore.

Klan Plus