DPSHTRR: Nëse kapesh duke qarkulluar. Shoqata: Duhet automatikisht

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë kërkon që drejtuesit e automjeteve të cilët nuk e rinvojnë siguracionin në kohë të gjobiten automatikisht. Edvin Libohova, kryetar i kësaj shoqate sqaron se në propozimet e dërguara pranë qeverisë, kompanitë kanë kërkuar që penaliteti të vendoset brenda 15 ditëve, ndërsa sqaron se është pranuar në ndryshimet e Kodit Rrugor, që afati të lihet për 30 ditë.

“Ne kemi propozuar që për 15 ditë nëse nuk rinovon siguracionin, ajo targë që është e regjistruar të gjobitet automatikisht nga sistemi me 30-60 mijë lekë gjobë. Na është pranuar për një afat 30 ditë.”

Por Drejtoria e Transportit Rrugor thotë se në ndryshimet e depozituara në kuvend gjoba nuk do të vendoset në mënyrë automatike duke marrë të dhëna nga sistemi, por vetëm nëse mjeti konstatohet nga policia se është në qarkullim.

“Qytetarët duhet ta dinë që nuk ka gjobë automatike. Vetëm nëse konstatohen se qarkullojnë pa siguracion nga autoritetet shtetërore do të penalizohen”.

Sipas kompanive të sigurimit, nëse makina është e regjistruar, konsiderohet se qarkullon, ndaj nuk duhet lejuar që të jetë pa siguracion dhe të penalizohet automatikisht.

“Në ndryshimet e Kodit rrugor është plotësuar kërkesa jonë, sepse Qendra e Informacionit këtë rol ka, në të kundërt cilat janë ndryshimet e bëra, sepse është njësoj si në kodin e vjetër?”

“Në kodin e vjetër kanë qenë afatet 15 ditë, tashmë janë 30 ditë për ndëshkimin me gjobë. Pra janë më lehtësuese si masa për qytetarët.”

Për Shoqatën e Siguruesve ndëshkimi me gjobë automatike për mjetet që janë të regjistruara por nuk kanë siguracion do t’i jepte fund situatës së borxheve dhe proceseve të shumta gjyqësore që ka Fondi i Kompensimit. Mjetet që dëmtohen nga makina të pasiguruara duhet të paguhen nga ky fond, dhe aktualisht janë në gjyq 3 mijë çështje për afro 40 milion euro dëme. Shoqata kërkon që edhe penalitetet të mos shkojnë për buxhetin e shtetit, por 90% të derdhen për Fondin e Kompensimit.

Tv Klan