Rektori kërkon anulimin, nuk bëhet gati procesi për 30 Korrikun!

Në universitetin më të madh publik në vend nuk do të ketë zgjedhje në 30 Korrik. Kjo është deklarata zyrtare e rektorit të Universiteti të Tiranës, Mynyr Koni. Në një deklaratë publike Koni ka shkruar se për arsye të mos aplikimeve për Anëtarë të Komisionit Institucional Zgjedhor, i cili mbikëqyr zgjedhjet në universitet dhe mos përmbushjes dot të afateve zgjedhjet nuk mund të mbahen në datën 30 Korrik të shpallura nga Ministrja e Arsimit, Besa Shahini.

Në deklaratën e tij, Koni bën përgjegjës për këtë situatë 5 ish-anëtarët e Komisionit Institucional të vjetër, të cilëve u ka mbaruar afati, përpos kësaj ai dhe i ka shkarkuar më 6 Maj 2020.

“Kjo do të thotë që në datën 30 Korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik të UT, në kushtet e pamundësisë të Senatit Akademik për të miratuar KIZ dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5 ish-personeli akademik i UT”.

Sipas rektorit Koni, këta ish-personel i UT mbështeten nga të gjithë dekanët e fakulteteve, në veçanti nga z.Dhori Kule dhe z. Artan Hoxha. Për krijimin e kësaj situate paligjshmërie në procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës, Mynyr Koni ka kërkuar sot ndërhyrjen e Ministrisë së Arsimit dhe Prokurorisë.

“I kam kërkuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për të hetuar pikërisht këtë situatë paligjshmërie, me qëllim për të kthyer në ligjshmëri procesin zgjedhor në Universitetin e Tiranës”.

Tv Klan