A do të mundet “Dhelpra e Argjendtë” të nënshtrojë Vladimir Putin?




A do të mundet “Dhelpra e Argjendtë” të nënshtrojë Vladimir Putin?

13:56 12/01/2022

Wendy Sherman është një prej diplomateve më të fuqishme në botë, e njohur ndryshe si “Dhelpra e Argjendtë” për shkak të flokëve të saj gri dhe stilit të pashoq për të arritur marrëveshje… Të mërkurën ajo do të jetë në krye të bisedimeve SHBA-Rusi, në Europë.

Sherman, zëvendëssekretare e Departamentit të Shtetit Amerikan, një prej pozicioneve kryesore të këtij departamenti, ka zhvilluar takime me disa zyrtarë rusë përgjatë kësaj jave për çështjen e Ukrainës. Tensionet janë të larta.

Presidenti Vladimir Putin ka vendosur rreth 100 mijë trupa rusë në kufi me Ukrainën, duke ngjallur frikën e një sulmi dhe duke shkaktuar paralajmërime nga Perëndimi.

Zyrtarët amerikanë shpresojnë që të mund të ulin tensionet nëpërmjet negociatave me rusët dhe Sherman është elementi i tyre. E njohur në Washington për sjelljen e saj të mprehtë, ajo ka një histori të gjatë në trajtimin e temave të vështira.

Nën udhëheqjen e Bill Clinton, ajo u përpoq të arrinte një marrëveshje me koreano-veriorët që kishte si qëllim të ndalonte përpjekjet e tyre për të ndërtuar armë bërthamore.

Në 2011-n, ajo kryesoi grupin e punës të SHBA në bisedimet bërthamore me Iranin, gjatë kohës që në zyrë ishte Presidenti Barack Obama. Ajo ndihmoi në nënshkrimin e një marrëveshjeje historike bërthamore mes Iranit dhe P5+1, SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania në 2015-n.

Në atë kohë, Sherman tha se të qenit grua nuk e kishte penguar në progresin e saj në dhomën e negociatave, pavarësisht se Republika Islamike e Iranit ka rregulla strikte sa i përket ndërveprimit mes meshkujve dhe femrave.

Sherman, 72 vjeçe, ka një pamje të zbehtë dhe me flokë gri të shkurtra gjithnjë të rregullta dhe pavarësisht orëve të gjata që marrin negociatat ajo duket gjithnjë në formë. “Asnjë fije floku të çrregullt”, tha një diplomat britanik që ka punuar me të gjatë negociatave ndërkombëtar.

Nofkën ajo e mori nga iranianët që nisën ta thërrisnin, “Dhelpra”, për shkak të qasjes dredharake që pati gjatë bisedimeve me ta. Kolegët e saj në Departamentin e Shtetit e përqafuan këtë nofkë dhe gjatë negociatave ata veshën një bluzë në të cilën shkruhej “Dhelpra e Argjendtë”. Kolegët e saj thonë se e shohin me admirim e ndonjëherë edhe me frikë, teksa merr pjesë në debatet ndërkombëtare.

Këtë javë, “Dhelpra e argjendtë” do të duhet t’i verë në zbatim aftësitë e saj…//tvklan.al













Të ngjashme