Departamenti i Tregtisë tha sot se do të lëshojë një urdhër që ndalon qytetarët e SHBA-së të shkarkojnë aplikacionin e mesazheve WeChat ose aplikacionin e videove TikTok.

Ndalimi këtyre aplikacioneve do të ndodhë ditën e diel, përveçse nëse arrihet një partneritet midis Oracle dhe pronarit të TikTok, ByteDance. Edhe në rast se do të arrihet partneritet mes dy kompanive, pritet që Presidenti Trump ta shqyrtojë marrëveshjen përpara afatit të së dielës dhe nëse e miraton atëherë aplikacioni ka një mundësi që të mos ndalohet.

Urdhri për ndalimin e aplikacionit TikTok ka ardhur nga Departamenti i Tregtisë, duke ndjekur urdhrin ekzekutiv të Presidentit Trump që ishte nënshkruar në muajin Gusht, pas shqetësimeve të qeverisë se aplikacionet me pronësi kineze mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari i Departamentit të Tregtisë të SHBA-së, Wilbur Ross tha: “Në drejtimin e presidentit, ne kemi ndërmarrë veprime të rëndësishme për të luftuar qëllimin keqdashës të Kinës, që të mbledhë të dhënat personale të qytetarëve amerikanë.”

Ndërkohë që ByteDance ka mohuar që mban të dhënat e përdoruesve në Kinë, duke thënë se ato ruhen në SHBA dhe në Singapor. Edhe Tencent, i cili zotëron WeChat, ka thënë se mesazhet në aplikacionin e tij janë private.

Dihet se TikTok ka miliona përdorues në SHBA, por nuk ka një numër të saktë se sa njerëz jashtë Kinës përdorin aplikacionin WeChat, megjithëse ka të ngjarë që të jetë një numër i konsiderueshëm./tvklan.al