Plani i paqes për Izraelin dhe Palestinën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka prezantuar të martën planin e tij të paqes për Lindjen e Mesme, duke premtuar që ta mbajë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Trump propozoi që Palestina të shihet si shtet i pavarur ndërsa mbi vendbanimet në Bregun Perëndimor të njihet pavarësia e Izraelit.

Trump shoqërohej nga Benjamin Netanyahu kur bëri publik planin e tij, ndërsa tha se kjo “mund të jetë mundësia e fundit” për palestinezët. Mirëpo Presidenti palestinez Mohmoud Abbas e ka quajtur planin si “komplot”.

“I them Trump-it dhe Netanyahu-t: Jeruzalemi nuk është për shitje. Të gjitha të drejtat tona nuk janë për shitje ose për pazar. Marrëveshja juaj, komploti, nuk do të pranohet”, është shprehur ai gjatë një fjalimi publik në Ramallah.

BBC shkruan se projekti i Trump, që ka për qëllim të zgjidhë një nga konfliktet më të gjata të botës, u draftua nën administrimin e dhëndrit të Trump, Jared Kushner. Të martën me mijëra palestinezë protestuan në Rripin e Gazës, ndërsa ushtria izraelite pozicionoi forca të reja në tokat e pushtuara në Bregun Perëndimor.

Kjo lëvizje kryhet në një momentet që si Trump edhe Netanyahu përballen me disa sfida politike në vendet e tyre. Trump është subjekt i një gjyqi nga Senati për shkarkim, ndërsa Netanyahu hoqi dorë nga imuniteti pas akuzave për korrupsion.

Ambasadori amerikan në Izrael, David Friedman, tha se ky plan nuk është i lidhur me ndonjë zhvillim politik e duke shtuar se është i menduar mirë. Ndërkohë sipas raporteve, Netanyahu kishte planifikuar që të vazhdonte më tej me aneksimin e 30% të tokave të pushtuara në Bregun Perëndimor. Më shumë se 400.000 izraelitë jetojnë në kolonitë në Bregun Perëndimor. Këto vendbanime nuk njihen nga ligji ndërkombëtar.

Cilat janë pikat kyçe të propozimit të Trump?

“Sot Izraeli hedh një hap gjigand drejt paqes”, tha Trump gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë. “Vizioni im përfaqëson një mundësi 50-50 për të dyja palët, një zgjidhje reale mes dy shteteve”, tha më tej ai.

Propozimet e Trump janë:

SHBA-të do të njohin pavarësinë e Izraelit mbi territorin që plani i Trump i njeh si pjesë të Izraelit. Plani përfshin edhe një hartë konceptuale, që sipas Trump, ilustron territoret për të cilat Izraeli është i gatshëm të bëjë kompromis.

Harta do të dyfishojë territorin palestinez dhe do të sigurojë një kryeqytet për Palestinën në lindje të Jeruzalemit, ku Trump tha se SHBA-të mund të hapin një ambasadë.

Jeruzalemi do të mbetet kryeqyteti i pandarë i Izraelit. Si Izraeli dhe Palestina kanë pretendime për sa i përket qytetit të shenjtë. Palestinezët këmbëngulin që Jeruzalemi Lindor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967 gjatë luftës së Lindjes së Mesme, të jetë kryeqytet i shtetit të ardhshëm.

Një mundësi që palestinezët të kenë një shtet të pavarur. Për këtë gjë Trump dha pak detaje.

Asnjë palestinez dhe izraelit nuk do të lëvizë nga shtëpitë e tyre. Me këtë, Trump nënkupton se vendbanimet aktuale të hebrenjve në Bregun Perëndimor, të pushtuara nga Izraeli do të vazhdojnë të qëndrojnë akoma të tilla.

“Palestinezët janë në varfëri dhe dhunë. Ata meritojnë një jetë më të mirë”, tha Trump.

Zyrtarë izraelitë janë shprehur se Netanyahu do të fluturojë në Moskë këtë të mërkurë për të diskutuar propozimet me Presidentin rus Vladimir Putin. Palestinezët shkëputën kontaktet me administratën Trump në Dhjetor të 2017-s pasi Presidenti amerikan vendosi që të njihte Jeruzalemin si kryeqytet duke dërguar atje edhe ambasadën.

Nga ky moment edhe SHBA-të kanë ndërprerë ndihmat për Palestinën dhe kontributet në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë. Në lidhje me këtë rast edhe Liga Arabe ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të shtunën.

Për çfarë luftojnë palestinezët dhe izraelitët?

Nga të gjitha konfliktet në Lindjen e Mesme, ajo mes palestinezëve dhe Izraelit ka qenë padyshim më e ndërlikuara. Pavarësisht se palët kanë nënshkruar një marrëveshjeje paqeje në 1993-shin, më shumë se një çerek shekulli kanë qenë më të ndara se kurrë.

Jeruzalemi: Izraeli dhe Palestina e pretendojnë të dy qytetin e shenjtë. Izraeli pushtoi pjesën lindore të saj në 1967-n dhe e shikon si kryeqytet të shtetit të saj. Mirëpo palestinezët pretendojnë se në Jeruzalemin Lindor jetojnë rreth 350 mijë persona të komunitetit të tyre dhe e shohin atë si kryeqytet të shtetit të ardhshëm.

Shteti i Palestinës: Palestinezët duan një shtet të pavarur të tyrin duke përfshirë Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jeruzalemin Lindor. Kryeministrat izraelitë e kanë pranuar krijimin e një shteti palestinez fqinj me ta, por nuk shprehen për kufijtë që do të marrë.

Njohja: Izraeli insiston që çdo marrëveshje për paqe duhet që të marrë edhe njohjen e Palestinës “si shtet-komb për hebrenjtë”, duke argumentuar se përndryshe palestinezët do të vazhdojnë të pretendojnë për këto toka dhe duke shkaktuar një konflikt të pafundëm.

Kufijtë: Të dy palët kanë ide të kundërta sa i përket kufijve që duhet të ketë shteti i Palestinës.

Venbanimet: Vendbanimet që Izraeli ka vendosur në tokat e pushtuara në Bregun Perëndimor dhe Izrael shkojnë në 140. Palestina kërkon që ato të lëvizen, ndërsa Netanyahu është betuar se asnjë izraelit nuk ka për të lëvizur nga vendbanimet e reja dhe se ato do të përfshihen në shtetin e Izraelit./tvklan.al