Shqyrtimi i dosjeve të shtetasve të Turqisë në Maqedoninë e Veriut, po vazhdon rrjedhën, pas kërkesës së Ankarasë zyrtare për ekstradimin e këtyre personave që, sipas autoriteteve turke, dyshohet se kanë lidhje me organizatën e ashtuquajtur “FETO”, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.

“Për momentin, kemi 15 kërkesa për ekstradimin e personave të caktuar Turqi. Të gjitha këto procedura janë në rrjedhë, për çka institucionet përkatëse janë në komunikim permanent”,

kanë bërë të ditur nga dikasteri i drejtësisë.

Institucionet në Shkup nuk japin detaje për identitetin e personave, për të cilët Turqia kërkon që të ekstradohen, megjithëse theksojnë se asnjë person nga kjo listë nuk është shtetas i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, nga Ambasada e Turqisë në Shkup kanë theksuar se në mesin e personave që Ankaraja zyrtare kërkon të ekstradohen, ka dhe drejtues të institucioneve arsimore, përfaqësues të mediave në gjuhën turke, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritarë që veprojnë në Maqedoninë e Veriut.

Njohësit e çështjeve juridike theksojnë sistemi i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duhet të jetë transparent për këtë proces, duke respektuar normat juridike ndërkombëtare dhe jo dëshirat e elitave politike të një shteti.

“Nëse këta persona nuk kanë kryer veprime në shtetin përkatës ku ata gjenden, në rastin konkret në Maqedoninë e Veriut, do të thotë se këta persona janë të pafajshëm dhe në këtë rast shteti ynë mund ta vlerësojë vetë nëse këto veprime për çka akuzohen,janë ose jo të sajuara nga shteti që kërkon të ekstradohen”.

“Unë do të thosha se kjo çështje ka më shumë karakter politik ndërmjet dy shteteve, se sa argumente juridike, mbi bazë të së cilave kërkohet të bazohet ekstradimi”,

thotë për Radion Evropa e Lirë Bashkim Selmani, ish-gjykatës , aktualisht ligjërues në Fakultetin Juridik të Tetovës.

Ndryshe, gjatë javës së kaluar, ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, ka kërkuar që Shkupi zyrtar të ndërmarrë veprime ndaj pjesëtarëve të lëvizjes “Hizmet”, të klerikut Fetullah Gulen, të cilën Ankaraja zyrtare e konsideron si “organizatë terroriste të FETO-s”.

“E dimë që ekzistojnë struktura të caktuara të organizatës terroriste të FETO-s. Kemi edhe emra konkret të disa prej kryesorëve të këtyre strukturave, të cilat i kemi shkëmbyer me autoritetet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut”

, kishte theksuar pas takimit me homologun e tij ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Pas kësaj deklarate, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kishte deklaruar për mediat se institucionet përkatëse të shtetit, do të veprojnë në përputhje me Konventat Ndërkombëtare për ekstradim, si dhe me legjislaturën vendore./REL