Politika greke ka dënuar vrasjen e shqiptarit Petrit Zifle më 25 Nëntor në ishullin e Korfuzit në Greqi. Deputetja e SYRIZA, Fotini Vaki e ka cilësuar vrasje për shkaqe nacionalizmi.

“A do të vajtojmë të tjera viktima të racizmit që burojnë nga pastërtia e racës greke? Erdhi dhe radha e Petrit Zifle, punëtorit shqiptar të tokës. Në Korfuz, aty ku demokracia ka gjetur gjithmonë tokë pjellore, fashizmi nuk ka vend”

, thotë ajo ndër të tjera.

Autori i vrasjes së 63-vjeçarit shqiptar është një anëtar i partisë radikale “Agimi i Artë”. Sherri mes tij dhe shqiptarit nisi në lokalin e zonës ku ata banonin, pasi deklaratave të vrasësit grek që ofendonte shtetasit e huaj, shqiptarët dhe maqedonasit. Mes të dyve nisi një konflikt, por që u sheshua për momentin nga klientët që ndodheshin aty.

Por, autori i kishte ngritur kurth shqiptarit Petrit Zifle, të cilin e qëlloi me çifte në kraharor dhe trupin e tij e kishte hedhur në kanal. Trupi u gjet nga kalimtarë të rastit, ndërsa vrasësi u arrestua pak ditë më vonë. Ai ka pranuar krimin e rëndë dhe gjykata e ka lënë në burg. Petrit Zifle banonte prej vitesh në Korfuz dhe ishte person i respektuar në komunitetin ku banonte.

/tvklan.al