Opinion-Ne shqiptarët jemi padyshim vendi i vetëm lindor që ende 16 vjet pas rrëzimit të komunizmit nuk kemi rishikuar nën frymën e re dhe të lirë historinë tonë. Ngjarje dhe personazhe vërtiten shpesh në kaos duke qenë pozitivë për njërin dhe negativë për tjetrin, duke u ngjitur dhe duke zbritur nga piedestalet e historisë pa pasur as kohë për të dhënë shpjegimet e duhura.

Muzeu Kombëtar, institucioni që ilustron mënyrën se si është parë dhe shkruar historia jonë është shembulli tipik i deformimit të saj. Pavarësia, momenti padyshim më i rëndësishëm i historisë së shtetit shqiptar pasqyrohet nga një stendë e vetme, pa asnjë dokument origjinal dhe vetëm me disa fotografi. Po kaq pak vend dhe me një varfëri të dukshme i është lënë edhe Kongresit të Lushnjës, një tjetër moment kyç i historisë sonë. Stenda e mbretërisë dhe ajo e mbretit Zog nuk ekziston më .

Por për të diskutuar lidhur me mënyrën se si është shkruar historia e Shqipërisë ishin të ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Paskal Milo, Beqir Meta, Aurel Plasari dhe Pirro Misha.

“Në princip historia shkruhet dhe rishkruhet brenda çdo gjenerate nga këndvështrime të ndryshme. Kjo bëhet për disa arsye, jo vetëm për nga mënyra se si ai që e shkruan mund të ketë parë të shkuarën e vet, por edhe për faktet e reja, dëshmitë apo dokumentet. Është një proces që vjen gjithnjë në vazhdim, por nuk ndryshon fakti historik, ngjarja apo personazhet. Mund të ndryshoj këndvështrimi, por jo ngjarja”, tha Milo.

“Që historia është e rishkrueshme, kjo është shkencërisht e saktë. Historia rishkruhet vërtetë me ndërrimin e brezave, por edhe kur përftohen rrethana të rëndësishme ose potenciale të reja”, tha Plasari./tvklan.al

Të ftuar: Paskal Milo, Beqir Meta, Aurel Plasari, Pirro Misha.