Shtëpia e Historisë Austriake dëshiron të hapë një ballkon në pallatin Hofburg të Vjenës për vizitorët e muzeut. Dikur në të ka dalë një person shumë i ndryshëm: Adolf Hitleri.

Një vizitor në Shtëpinë e Historisë Austriake, në muzeun historik bashkëkohor të Austrisë, të vendosur në krahun e kolonuar të Neue Burg të Pallatit perandorak Hofburg të Vjenës, mund të ecë deri te dyert që të çojnë në një nga ballkonet më famëkeq në historinë austriake: deri te vendi, ku me një fjalim në 15 Mars 1938, Adolf Hitleri u njoftoi austriakëve që brohorisnin se vendi i tij i lindjes ishte përfshirë në Rajhun e Tretë, një ngjarje e njohur si Anschluss.

Megjithatë dyert qëndrojnë të mbyllura, duke e bërë të pamundur që një vizitor të dalë në atë që ndonjëherë quhet “ballkoni i Hitlerit”.

Monika Sommer po bën presion për ta ndryshuar këtë. Drejtoresha e Shtëpisë së Historisë Austriake po bën thirrje që ballkoni të përfshihet në koleksionin e muzeut historik bashkëkohor dhe të hapet për publikun si një mënyrë për të forcuar kujtesën historike kolektive të vendit dhe të tashmen e tij demokratike.

“Ne e dimë që do të thyejmë një tabu duke e bërë këtë, pasi deri tani publiku thjesht nuk ka pasur qasje te ky ballkon,” i tha ajo DW.

Megjithëse thirret ballkon, ai është arkitektonikisht më i ngjashëm me një tarracë, pasi qëndron drejtpërdrejt në një hyrje të mbuluar që të çon në pallat nga Heldenplatz, ose Sheshi i Heronjve, vendi i protestave dhe manifestimeve politike, të kaluara dhe të tashmet.

Për Sommer, hapja e ballkonit do të ishte pjesë e një procesi më të gjatë që do të dëshironte të ndërmerrte muzeu, i cili është vendosur në Neue Burg. “Hapi i parë do të ishte hapja e ballkonit për publikun dhe lejimi i vizitave të regjistruara për të dalë në të,” i tha ajo DW, duke shpjeguar se mund të pasojnë zhvillime ose instalime të mëtejshme.

Faqe e historisë austriake

Ballkoni ka qenë prej kohësh një nga simbolet më të shquara të Austrisë për të kaluarën e saj naziste, megjithëse roli i tij në histori shtrihet përtej asaj epoke.

Ai u ndërtua në fund të shekullit të 19-të si pjesë e rezidencës së monarkisë Habsburg, pikërisht kur Perandoria Austro-Hungareze po shijonte ditët e saj të fundit të lavdisë para Luftës së Parë Botërore dhe shpërbërjes së saj pasuese.

Në fillim të shekullit të 20-të, ideologjitë politike rivale të viteve midis luftërave u zhvilluan në Heldenplatz, me nacionalistët pangjermanë, socialistët e internacionales anti-luftë dhe politikanët austrofashistë. Të gjithë ata mbajtën fjalime nga ballkoni për turmat e mbledhura në sheshin më poshtë. Vizitorët e nderit shpesh rrinin ulur në ballkon.

Më 15 mars 1938, rreth 200.000 austriakë u mblodhën në Heldenplatz për të brohoritur për Hitlerin, kur ai njoftoi nga ballkoni i pallatit.”hyrjen e atdheut tim në Rajhun Gjerman”. Turmat gjithashtu u mblodhën aty në vitet pasuese, për të festuar përvjetorin e Anschluss (bashkimit).

Një fjalim i dytë dhe një pikë kthese

Pas Luftës së Dytë Botërore, ballkoni u mbyll. Austria e paraqiti veten si “viktimën e parë” të Hitlerit dhe refuzoi të mbante përgjegjësi si për Anschluss ashtu edhe për krimet pasuese naziste. Ishte vetëm fillimi i viteve 1990, kur Austria filloi të shqyrtonte në mënyrë kritike rolin e saj në atë epokë.

Ballkoni u hap për publikun vetëm një herë në historinë e tij të pasluftës: në vitin 1992, i mbijetuari i Holokaustit dhe fituesi i Çmimit Nobel të Paqes, Elie Wiesel mbajti një fjalim prej ballkonit, duke u bërë thirrje dëgjuesve të luftonin racizmin dhe të përballeshin me të kaluarën e vendit. “Ballkoni nuk është asgjë. Ai është një simbol, asgjë më shumë. Pastrimi, ndryshimi nuk mund të vijë nga ballkoni. Duhet të vijë nga poshtë,” tha ai.

Në një kohë që ai është i vetmi fjalim që u mbajt nga ballkoni që nga Lufta e Dytë Botërore, Sommer tha se ai nuk është shumë i njohur. “Interesante, ky fjalim nuk është i ankoruar thellë në kujtesën kolektive,” tha ajo. Potenciali për të zgjeruar kuptimin e ballkonit ekziston, ajo shtoi: “Mund të jetë gjithashtu një simbol për kuptimin e ri politik të Austrisë për historinë e saj…e cila analizon në mënyrë kritike historinë bashkëkohore austriake.”

“Vetëkuptimi kombëtar, që kemi përgjegjësi të përbashkët dominon absolutisht. Kanë ndryshuar shumë gjëra në këtë drejtim,” tha Sommer, duke shpjeguar sesi Austria e sotme e ka hedhur poshtë teorinë e “viktimës së parë” dhe në vend të kësaj pranon dhe trajton bashkëpunimin e saj në krimet naziste . “Kjo është pikërisht arsyeja pse mendoj se do të ishte mirë ta theksoja këtë me një sinjal të fortë,” shtoi ajo, duke iu referuar hapjes së ballkonit.

Një pamje e demokracisë

Nga ballkoni shihen disa nga vendet më të rëndësishme politike të Austrisë: së bashku me Heldenplatz, duken edhe Parlamenti austriak me kolona greke, Bashkia e Vjenës neogotike dhe qeveria dhe kancelaritë presidenciale.

“është një pamje e mrekullueshme nga atje lart dhe një mundësi shumë, shumë e mirë për t’i folur një grupi për kuptimin e demokracisë,” tha Sommer. Ajo do të donte të kombinonte vizitat e drejtuara në ballkon me iniciativat arsimore për formimin demokratik, që ofron muzeu.

Për të mbledhur mbështetje për hapjen e ballkonit, Shtëpia e Historisë Austriake i lejon vizitorët të votojnë a e mbështesin iniciativën. Që nga mesi i marsit, kanë votuar më shumë se 60.000 vetë, rreth 51.000 prej tyre në mbështetje të hapjes. Muzeu gjithashtu mban një faqe në internet, “Ballkoni, një vend në ndërtim”, ku njerëzit mund të paraqesin idetë e tyre për pamjen e ardhshme të ballkonit.

Sommer nuk e di nëse shtytja e saj për të hapur ballkon do të ketë sukses; ka shqetësime sigurie dhe strukturore që duhet të merren parasysh. Megjithatë, ajo është e përkushtuar për të nxitur diskutimet publike dhe vazhdon të jetë e sigurt se mund të gjendet një zgjidhje: “Po të ketë vullnet politik, atëherë do të gjendet një rrugë”./DW