Me shpërthimin e pandemisë së koronavirusit COVID-19, Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandoi përdorimin e maskave dhe të dorezave si një nga masat mbrojtëse për të mos u infektuar.

Por, a duhet të vazhdojmë t’i përdorim maskat edhe pas ngadalësimit të përhapjes së infeksionit? Kjo pyetje do të vlerësohet nga një panel i këshilltarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Ky panel do të zhvillojë kërkime dhe do të analizojë nëse virusi mund të përhapet më tej.

Kryetari i këtij paneli, Profesor David Heymann, tha për BBC se studimi mund të ndryshojë këshillat për përdorimin e maskave.

Aktualisht OBSH rekomandon mbajtjen e të paktën 1 metër distancë nga njëri-tjetri, nga kushdo që tështin apo kollitet, një mënyrë kjo për të shmangur rrezikun nga infeksioni. OBSH thotë se personat e sëmurë apo ata që shfaqin simptoma të sëmundjes, duhet të mbajnë maska për të mos rrezikuar të tjerët.

Organizata këshillon edhe qytetarët pa probleme shëndetësore, që të vendosin maskë vetëm nëse kujdesen për persona të tjerë që dyshohet se janë të infektuar, ose nëse vetë ata kolliten apo tështijnë.

Megjithatë, OBSH thotë se maskat janë efektive vetëm nëse zbatohen edhe rekomandimet e tjera, si larja e shpeshtë e duarve dhe përdorimi i maskave siç duhet.

Disa shtete, të tilla si Britania por dhe SHBA, këshillojnë që distancimi social të jetë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit. /tvklan.al