Opinion– Raporti i Bashkimit Europian në fillim të vitit 2001, i cili përgatiste fillimin e negociatave të Shqipërisë me strukturat e BE për firmosjen e marrëveshjes së stabilizim asociomit ka qenë ndër temat kryesore të asaj periudhe. Dhe për të folur pikërisht për këtë raport emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu realizuar me 16 Janar të vitit 2001 ishin të ftuar ministri i Rendit Publik, Luan Rama, kryetari i komisionit parlamentar të rendit Neritan Ceka, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe deputeti i Partisë Demokratike Besnik Mustafaj.

“Ky është një raport që ka ardhur prej disa kohësh është një raport faktmbledhës i organizuar nga BE nëpërmjet specialistëve të pavarur. Raporti i është përcjellë presidencës dhe unë jam në dijeni të tij pas një takimi që kam pasur me Presidentin e Republikës, ministrin e Jashtëm dhe ministrin e Integrimit ku u diskutua rreth këtij raporti dhe pozicionit që do të mbahej në takimin me Trojkën. U kërkua një opinion nga unë, por nuk kisha një të tillë sepse në Parlament nuk kishte ardhur një raport i tillë dhe kjo tregon qartë se në qeverinë shqiptare ka mungesë transparence. Me informacionin që kemi arritur të marrim nga media dhe kontaktet, por jo nga parlamenti dua të theksoj se ky raport nuk është gjë tjetër veçse një përmbledhje e të gjitha shqetësimeve të ngritura prej kohësh nga Komisioni Evropian”, tha Mediu.

“Nuk jam në dijeni të këtij raporti, por këtë mund ta sqarojë edhe zoti Rama, me të cilin kam pasur sot një bisedë dhe del që raporti nuk është zyrtar dhe nuk i drejtohet qeverisë. Në leximin që i dhashë sot pata përshtypjen se është shumë larg realitetit shqiptar. Parë nga Europa, Shqipëria është ajo që thuhet në raport, por në dinamikën e ecjes përpara Shqipëria është larg atij raporti. Kjo është përshtypja ime. Realiteti i policisë sonë, nuk është realiteti i atij raporti”, tha Ceka.

“Kemi të bëjmë me një draft raport të një grupi faktmbledhës. BE ka përdorur edhe një mënyrë tjetër përveç mënyrave që praktikon vazhdimisht për të fotografuar realitetin në Shqipëri. Ky nuk është raport zyrtar për autoritetet zyrtare në Shqipëri. Ky raport ka gati një muaj që ka ardhur tek unë dhe ka shënimin se nuk lejohet të kopjohet dhe shpërndahet dhe se nuk përfaqëson domosdoshmërisht  mendimin e Komisionit Europian. Pas këtij do të kemi një raport përfundimtar për problemet reale që ekzistojnë dhe që duhen trajtuar për t’u zgjedhur”, tha Rama.

“Ne jemi në dijeni të këtij raporti, por jo nëpërmjet rrugës për të operuar drejt integrimit të Shqipërisë. Ky është një raport i konsideruar nga Brukseli. Këto probleme nuk janë të reja, janë thënë edhe para një viti. Për herë të parë ky mision faktmbledhës nuk është një mision që jep urdhra. Ai tregon faktet që ka konstatuar dhe strukturat politike dhe diplomatike nxjerrin konkluzionet e tyre nga këto fakte”, tha Mustafaj. / tvklan.al