Në rrjetet sociale qarkullojnë vazhdimisht trende, këshilla, vlogje për situata të ndryshme të jetës së përditshme.
Madje ka dhe nga ato blogere që të mësojnë se si të gjesh një punë me kërkesa shumë të ulëta, praktikisht “punë për dembelë”. Por, si mund të gjendet ekuilibri i duhur mes punës dhe pushimit?
E vërteta është se çdo fillestar në punë zhgënjehet për një sërë arsyesh, qoftë prej shpërblimit financiar, ambienti apo edhe vetë aftësitë e tij. Kështu lind demotivimi, por kjo ndodh edhe te njerëz që kanë vite tek e njëjta punë.
Sipas profesoreshës së Universitetit të New York-ut, Suzy Welch, ekuilibri mes jetës dhe karrierës është bërë shumë i vështirë për t’u gjetur. Kjo siç thotë ajo sepse punëtorëve u ngarkohen detyra edhe jashtë orarit të punës. Një fenomen i tillë bëhet aq i lodhshëm saqë njerëzit përpiqen të gjejnë atë punën ideale, ku përpjekja e tyre të jetë minimale.
Në rrjete sociale ka një ide të përgjithshme për punën me pak lodhje: të punosh me laptop!
Kjo sipas blogerëve apo ekspertëve të ndryshëm sepse të merresh me e-maile apo detyra të këtij lloji në kompjuter nuk kërkon shumë përkushtim.
Sado që njerëzit tashmë përpiqen të punojnë nga shtëpia me laptopin e tyre, për njerëzit që kanë kohë që e bëjnë, kjo punë nuk ka të bëjë aspak me “dembelizmin”. Madje është puna më stresuese!
Një punë me ritëm të ulët nuk mund të jetë kurrsesi interesante, por edhe një punë me shumë kërkesa është rraskapitëse. Është pikërisht ky standard i dyfishtë që po i mundon njerëzit në mbarë botën. Mesa duket ende nuk ekziston një e mesme e artë!/tvklan.al