Këtë mbrëmje në “Opinion” në Tv Klan ministri i Jashtëm Italian Luigi Di Maio ka dhënë një intervistë duke folur për situatën e rëndë që po kalon Italia për shkak të koronavirusit.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se a do të jetë Europa e përgatitur për një krizë e ekonomike pas pandemisë, ministri thotë se në këtë krizë duhet të gjendet forcë dhe kurajo nga qeveria për të mbështetur sipërmarrësit që kanë forcë dhe kurajo të shesin.   

Blendi Fevziu:Shumë shtete të Europës u gjendën të papërgatitura për këtë pandemi, a do jenë të përgatitura për krizën ekonomike që parashikohet pas pandemisë?

Luigi Di Maio:Ne duhet të jemi të përgatitur. Është e qartë që në një pandemi të kësaj natyre thuajse askush nuk ishte përgatitur. Vendet që besoj  se ishin më të përgatitura ishin ato që në 10 apo 15 vitet e fundit e kanë investuar pjesën më të madhe të parave të tyre në shëndetin publik dhe sigurisht Italia nuk ka qenë një prej këtyre vendeve. Por duhet të them që edhe në takimin e G 20 të Këshillit të Punëve të Jashtme të këtyre ditëve, të gjithë vendet janë të vetëdijshëm që duhet një reagim i përbashkët. Sapo përfundova G 20 e tregtisë. Edhe atje të gjithë ministrat e tregtisë thonin qartë se reagimi duhet të jetë i përbashkët. Dhe reagimi ndaj krizës ekonomike është të investosh më shumë, të mos biesh në politikat e rrepta të shkurtimeve, dixhitalizimi dhe heqja e burokracive, sepse duhet të mbrojmë sipërmarrjet tona. Ne kemi modele sipërmarrjesh shumë të ngjashme, sipërmarrje të vogla dhe të mesme që kanë dëshirë të eksportojnë në të gjithë botën. Në këtë krizë duhet të gjejmë forcë dhe kurajo si qeveri për të mbështetur sipërmarrësit tanë që kanë forcë dhe kurajo të shesin.   /tvklan.al