“Ballkani i Hapur”, Abazoviç tregon çfarë i ka kërkuar Kosovës: Ne dhe Shqipëria i garantojmë që do jenë të barabartë


“Ballkani i Hapur”, Abazoviç tregon çfarë i ka kërkuar Kosovës: Ne dhe Shqipëria i garantojmë që do jenë të barabartë

00:26 27/09/2022

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi në një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan tregoi se pse ai është mbështetës i iniciativës së “Ballkanit të Hapur”. Sipas tij popujt e Ballkanit janë në të njëjtën zgjedhje që kanë bërë dikur shtetet e Bashkimit Evropian, të zgjedhin të krijojnë partneritete për të përballuar situata apo të vazhdojnë të thellojnë konfliktet mes tyre. Ai shprehet se, ne nuk duhet të shikojmë se kush po e ndërmerr iniciativën, por a është apo jo funksionale dhe sipas tij, nga marrëveshjet e tre vendeve gjërat kanë ecur përpara.   

Blendi Fevziu: Ka pasur akuza për ju që ndryshe nga politika zyrtare e Malit të Zi që ka mbajtur një distancë nga nisma e “Ballkanit të Hapur”, ju e keni mbështetur këtë iniciativë, e keni mbështetur publikisht dhe ndërkohë keni marrë pjesë edhe si vëzhgues në takimet e “Ballkanit të Hapur”. Unë e di parimin tuaj për “Ballkanin e Hapur”. Ka qenë para se të merreni me politikë, ideja e hapjes dhe integrimit? Por kur bëheni kryeministri i një vendi duhet të respektoni edhe sentimentet jo vetëm bindjet tuaja personale, si është sentimenti i malazezëve.

Dritan Abazoviç: Të gjitha sondazhet që kemi bërë është që në Malin e Zi shumica e popullatës është për “Ballkanin e Hapur”.

Blendi Fevziu: Ishte për “Ballkanin e Hapur”? Dhe pse presidenti është kundër?

Dritan Abazoviç: Presidenti është kundër, ai është qëndrimi i i tij. Ne kemi një problem në rajon. Problemi është të merremi vesh njëri me tjetrin. Ne nuk po shikojmë emrin e iniciativës, kush e ka krijuar iniciativën. Ne si shtet kemi një interes si shtet a është funksionale apo nuk është funksionale. “Ballkani i hapur” është e vetmja iniciativë funksionale, ajo ka treguar nëpërmjet marrëveshjeve të tre shteteve se disa gjëra kanë ecur përpara. Ndoshta nuk janë historike, unë mendoj se janë, por kanë lëvizur.

Blendi Fevziu: Dhe mendoni që Mali i Zi duhet të përfshihet?

Dritan Abazoviç: Absolutisht, unë kam folur në Kombet e Bashkuara, unë jam përkrahës i “Ballkanit të Hapur”.

Blendi Fevziu: A është një hegjemoni serbe “Ballkani i Hapur”?

Dritan Abazoviç: Çfarë hegjemonie serbe është me Shqipërinë brenda? Është një komunikim mes meje dhe zyrtarëve të Kosovës hajdeni ta bëjmë gjithëpërfshirëse. Ne dhe Shqipëria i garantojmë që do jenë të barabartë. Ne nuk do marrim pjesë në asnjë vend nëse 6 shtete nuk do jenë të barabartë. Nëse unë prezantoj shtetin tim me flamur të Malit të Zi me emër të Malit të Zi e njëjta gjë do jetë edhe për Kosovën dhe për Bosnjën.

Blendi Fevziu: Po ju e dini sa përpjekje ka bërë Mali i Zi për të marrë pavarësinë nga Jugosllavia? Ka qenë referendum me tensione jo të vogla.

Dritan Abazoviç: Ato janë gjëra që nuk do ndryshojnë kaq shpejt në Ballkan. Ajo hegjemoni nuk ndodhi në  30 vitet e fundit, por në 120 vitet e fundit. Ajo është një gjë historike. Ne nuk mund të ndryshojmë shtetet, e vetmja gjë që mund të bëjmë si politikanë, është të menaxhojmë situatën. Dallimi me Bashkimin Evropian në Luftën e Dytë Botërore dhe tani është se tani menaxhohet situata që të krijohet partneritet, ndërsa në Luftën e Dytë Botërore thanë duam luftë. Tani kemi të njëjtën zgjidhje, duam ta menaxhojmë situatën me këto shtete që janë, me popujt që jetojnë këtu, apo duam t’i “biem murit me kokë” dhe të themi ju na keni borxh e ne ju jemi borxh e të vazhdojmë konfliktet. /tvklan.al












Të ngjashme