“Fakti që Rama e ka njohur ish-zyrtarin McGonigal, a e implikon penalisht Kryeministrin?”, ka qenë kjo pyetja të cilës i është përgjigjur për emisionin “Opinion” në Tv Klan, Rudina Jasini, studiuese dhe avokate e së Drejtës Penale Ndërkombëtare.

Në përgjigjen e saj, Jasini ka thënë se Kryeministri Rama gëzon imunitet të plotë si Kryetar Shteti ndaj çdo ndjekje penale nga një shtet i huaj (me përjashtim të rasteve të genocidit, të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit).

Pyetje: A implikohet Rama penalisht nga faki që ka njohur McGonigal?

Përgjigje – Rudina Jasini, studiuese dhe avokate e së Drejtës Penale Ndërkombëtare, Universiteti Oxford: Kryeministri Rama gëzon imunitet të plotë si Kryetar Shteti, pra si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ndaj çdo ndjekjeje penale nga një shtet i huaj, (me përjashtim të rasteve të genocidit, të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.) Çdo pasojë e mundshme e asaj që mund të ketë ndodhur dhe çdo përfshirje që përbën shkelje të ligji, si në SHBA dhe në Shqipëri, lidhet me  përgjegjësinë politike dhe morale të Z. Rama. Por kjo nuk përjashton përgjegjësi të mundshme të mëvonshme kur ai nuk është më Kryetar Shteti.

Është prerogative e Prokurorisë të përcaktojë në bazë të provave, evidencës dhe informacionit të disponueshëm se kush do të jetë subjekt i një aktakuze të ngritur. Kjo nuk do të thotë që individë të përfshirë në këtë “afere” të mos përbëjnë në një moment të mëvonshëm subjekt të mëtejshëm të investigimit, nëse transaksioni i kryer ka ndodhur në territorin e SHBA-së, apo nëse ka patur shtetas amerikanë të përfshirë. Por kjo varet tërësisht nga baza materiale dhe informacioni që prokuroria ka dhe se kë vlerëson ajo me prioritet që të ndjekë penalisht./tvklan.al