E  gjithë vëmendja e mediave botërore, portaleve dhe ekranit televiziv këto ditë ka qenë e përqëndruar tek presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili sot u rikthye në Shtëpinë e Bardhë pas shtrimit në një qendër mjekësore ushtarake “ Walter Reed” për shkak të infektimit me COVID-19.

Ai u kthye në Shtëpinë e Bardhë duke zbritur nga helikopteri, video e cila u shpërnda fillimisht nga Donald Trump më pas me një përshëndetje “Mirë se erdhe babi” nga vajza e tij Ivanka Trump. Nga ana tjetër, Zonja e Parë, Melania Trump, me simptoma më të lehta si kollë dhe dhimbje koke qëndroi në Shtëpinë e Bardhë.

Në një lidhje direkte në emisionin Rudina në Tv Klan, ka qenë mjeku Pëllumb Pipero i cili ka komentuar infektimin e Trump, gjestin kur presidenti hoqi maskën sapo arriti në Shtëpinë e Bardhë dhe a ishte normale dalja e tij kaq herët nga spitali.

Pëllumb Pipero: Historia po provon që ky virus nuk përjashton asnjë, fakti i infektimit të Trump e vërteton më së miri këtë gjë. Mjekimin e Donald Trump nga një personel mjekësor shumë i përzgjedhur dhe faktin që ai rifilloi kaq shpejt punë, e konsideroj sukses në mjekësi. Përsa i përket maskës, e vlerësoj si akt të momentit që presidenti do të tregojë se ai është i shëruar plotësisht dhe e mundi koronavirusin, dëshmon që ne nuk duhet të kemi frikë, por kujdes. Gjestin e vlerësoj pozitiv.

Rudina Magjistari: A ishte e sugjerueshme që ai të dilte kaq shpejt nga spitali?

Pëllumb Pipero: Ne jemi mësuar të shohim jo vetëm deklarata, por edhe veprime në politikë përsa i përket aplikimit të medikamenteve dhe mjekimeve. Nuk dimë shumë gjëra para se Trump të shfaqte shenja. Mjeku ka treguar se e hëna do jetë vendimtare për gjendjen e Trump dhe mendoj që mund të ketë qenë i infektuar që 8 ditë më parë. Trump duhet të ketë qenë i sëmurë ditë më parë, para se të merrej vesh nëpër media. Tani ai duhet të punojë me maskë, të kufizojë takimin me stafin. Trajtimi i tij rezultoi efikas dhe me sukses.

Rudina Magjistari: Mendon se do infektohet Trump për herë të dytë?

Pëllumb Pipero: Jo, sepse shanset janë 1 në 1 milion banorë siç kemi dëgjuar deri më tani. /tvklan.al