Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka deklaruar se inceneratori i Elbasanit ka punuar vetëm 22 ditë.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Bardhi gjykoi mbi numrin e ditëve që inceneratori i Elbasanit ka punuar, duke komentuar faturën e energjisë elektrike që Kryeministri Edi Rama publikoi në këtë emision të enjten e kaluar.

Shqiptarët kanë paguar 70 milionë Euro për 3 inceneratorë ku asnjëri prej tyre nuk punon. Ai matësi i energjisë tregon që është prodhuar energji 22 ditë. Me konsumimin e energjisë që prezantoi vetë Kryeministri tregon që ai impiant ka punuar 22 ditë. Vetë Kryeministri ka punuar me atë të dhënë që paraqiti në emision nuk ka punuar në këto 3 vite më shumë se 22 ditë. Arsyeja e parë është vonesa në implementimin e projektit. Kompania që ka fituar këtë kontratë është i njëjti individ, Klodian Zoto. Kompania ka patur kapital 50 mijë Euro ndërkohë që investimi kushton 23 milionë Euro. Duke qenë se kompania nuk kishte kapital, u shpik inceneratori i Fierit dhe më pas inceneratori i Elbasanit. Në momentin që mori paratë nga inceneratori i Tiranës, nga inceneratori i Fierit, filloi investimin në inceneratorin e Elbasanit. Shkelja është që është kontraktuar një kompani që ka zero…“, u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PD.

Në këtë pikë, Gazment Bardhi debatoi me ekspertin e komunikimit Julian Zyla.

Julian Zyla: Po merr dhe shërbim… Po Tirana po djeg plehra.

Gazment Bardhi: Ku po djeg plehra Tirana mo? A je në terezi ti mo? Kush po djeg plehra? Inceneratori i Tiranës nuk ekziston more. Si po djeg plehra Tirana? Si mund të vish në studio dhe të gënjesh? Nëse ekziston unë jap dorëheqjen nesër nga pozicioni i Sekretarit të Përgjithshëm të partisë.

Julian Zyla: Mua më vjen shumë keq sepse ju nuk dini as të gënjeni.

Gazment Bardhi: Ekziston inceneratori i Tiranës? A je në terezi a jo? E kupton çfarë po flet?

Julian Zyla: Po e kuptoj shumë mirë!

Gazment Bardhi: Inceneratori i Tiranë ekziston?

Julian Zyla: Po digjen plehra z.Bardhi?

Gazment Bardhi: Në Tiranë? Një person kur futet në debat, minimumi duhet të ketë 1% informacion.

/tvklan.al