Fatos Nano, një nga protagonistët e rëndësishëm të politikës shqiptare, ish-kryeministër dhe një ndër liderët historikë të së majtës ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Gjatë intervistës me gazetarin Blendi Fevziu, ish-kryeministri u pyet lidhur me largimin nga politika dhe PS. Ai u shpreh se nuk është penduar që është larguar dhe sipas tij pas largimit PS ka bërë hapa pas.

“Nuk jam penduar sepse nuk jam larguar. Nuk është hera e parë që unë largohem nga Partia Socialiste dhe nuk jam penduar asnjëherë kur jam larguar jo vetëm për shkak se jam rikthyer, por edhe sepse kjo më ka dhënë mundësinë të ridimensionoj marrëdhëniet me partinë, aleatët dhe votuesit e saj. Unë po përjetoj ashtu si shumë përfaqësues të saj dhimbjet e mungesës së koherencës, respektit dhe hapësirave për bashkëjetesë mes të ndryshmeve brenda një partie. Demokracia në PS po bën hapa pas”, tha Nano.

Nano gjithashtu foli edhe për gjendjen politike në vend për të cilën tha se tensionet e brendshme mes partive po pengojnë integrimin e vendit.

“Unë i kam qëndruar besnik deklarimit tim pas zgjedhjeve të 3 Korrikut 2005 që u pasua me një rrotacion paqësor. Bëra vlerësimin tim për natyrën e atyre zgjedhjeve të cilat kapën standarde më të mira se më parë, por u shoqëruan me probleme të lidhura me keqfunksionimin e sistemit. Sidoqoftë unë shpalla se konsideroja me legjitimitet të cunguar parlamentin. Megjithatë mendova se duhet të rikthehem për hir të kërkesave të militantëve të majtë dhe kolegëve. Gjendja aktuale në Shqipëri nuk lejon më të heshtësh. Të dyja palët, edhe maxhoranca edhe opozita përveç tensioneve të brendshme vazhdojnë të mos kërkojnë hapësira për integrimin e vendit. Imazhi që është krijuar në botë është konflikti, lufta për pushtet, bllokimi i kundërshtarit”, tha Nano./tvklan.al

I ftuar: Fatos Nano, ish-kryeministër.