Hillary Clinton ka premtuar se nëse do të bëhet Presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të bëjë publike të dhëna nga “Area 51”, baza ushtarake amerikane në Nevada, për të cilën ekzistojnë teori të shumta konspirative se ka fakte dhe të dhëna për ekzistencën e alienëve, ashtu sikurse besohet se në të vërtetë, funksioni i kësaj baze është zhvillimi i eksperimenteve me jashtëtokësorët, e se brenda saj gjenden anije alienësh.

E ftuar në programin e Jimmy Kimmel, kandidatja republikane për Presidente, tha se nëse do të zgjidhet në krye të shtetit, ajo do publikojë të dhëna nga kjo bazë sekrete amerikane çdo gjë, përveç atyre që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Komentet e saj ishin në përgjigje të sugjerimit të Kimmel, i cili u shpreh se nëse ai do të ishte President gjëja e parë që do të bënte është që të analizonte dosjet e “Area 51”. Ai tha se kishte folur me Bill Clinton për këtë dhe se ky i fundit i kishte thënë se i kishte kaluar nëpër duar të gjitha dosjet, por nuk kishte gjetur asgjë interesante.

“Epo do t’i kaloj edhe njëherë nëpër duar”,

tha Hillary Clinton.

“Dëshiroj që t’i rishohim edhe njëherë ato dosje dhe të bëjmë publike sa më shumë të mundemi për publikun. Nëse në këto dosje nuk kanë asgjë, atëherë le ta dinë të gjithë”.

Zonja Clinton tha se do të publikonte gjithçka që do të gjejë aty, të dhëna mbi alienë ose jo.

“Area 51” duket se është kthyer në një prej premtimeve elektorale të Hillary Clinton, platforma e së cilës ka në fokus votuesit e rinj amerikanë.

Sipas “The Independent”, shumë mendojnë se asgjë e re nuk do të dalë nga dosjet, ose se do të mbeten gjithësesi të klasifikuara.

Kreu i NASA – s, vitin e shkuar, deklaroi se kishte qenë në “Area 51” dhe se

“nuk ishte ajo që mendojnë shumë njerëz”.

Ai tha se bëhet fjalë për një bazë normale kërkimi dhe zhvillimi dhe se nuk kishte parë alienë apo anije alienësh.

“Mendoj se për shkak të sekretit të punës kërkimore të aeronautikës që ndodh atje, njerëzit aludojnë se fshihen të dhëna për jashtëtokësorët”

. /tvklan.al