Autoritetet amerikane janë të shqetësuara për atë që mund të shndërrohet në katastrofë, dyndjen e rreth 2 milionë njerëzve në bazën ajrore të Nevadës, të njohur botërisht si ‘Hapësira 51’. Për ata që u besojnë teorive të konspiracionit, kjo bazë është pika e takimit mes CIA-s dhe jashtëtokësorëve.

Për të zbuluar misterin është ngritur prej disa javësh një faqe në Facebook, ku bëhet thirrje për t’u dyndur në këtë bazë më 20 Shtator. Të gatshëm për t’iu bashkuar nismës deri tani janë 1.7 milionë amerikanë.

Kjo nismë ka bërë që hotelet e paktë të zonës të prenotohen krejtësisht.

“Kemi pasur 500-600 klikime në ditë në faqen tonë në internet. Këto ditë kemi arritur deri në 3 mijë. Është një rritje tepër e lartë”.

Krijuesi i eventit në Facebook thotë se e kishte nisur si shaka, që tani po shndërrohet në problem serioz.

“Kur e krijova më 27 Qershor ishte një lloj shakaje. Në 3 ditë, vetëm 40 persona u interesuan, por më pas shpërthyen kërkesat papritur”.

Se çfarë do të ndodhë, kjo mbetet për t’u parë, por ushtria ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet me armë sipas ligjeve, për çdo shkelje të territorit të bazës ushtarake nga civilët.

Tv Klan