Kreu i FSHF: Asnjë lekë s’kam, por kam prona

Ndërtimi i stadiumit “Air Albania” bëri që stafi i emisionit “Opinion” në Tv Klan të përzgjidhte Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka si një prej personazheve të këtij viti që po lemë pas. Edhe pse drejton federatën e futbollit, Duka nuk ka pasur lidhje me futbollin profesionist.

Ai tregoi se nuk ka qenë në ambiciet e tij që të ishte në federatë, por ishin rrethanat e kohës që e çuan aty. Duka ka studiuar për Ekonomi-Industri në Universitetin e Tiranës.

“Ajo që kisha dëshirë duke qenë pak dembel nuk ishte ekonomi, thoja Histori –Gjeografi se është me kollaj. U detyrova të studioja Ekonomi dhe më emëruan në Burrel, kam punuar 4 vite në parkun e mallrave të Burrelit deri në vitet 90-të, pastaj u ktheva në Durrës dhe kam filluar iniciativën private”, tha Duka.

Por pyetjes nëse ka arritur të fitojë shumë me biznesin e tij, Duka tha se nuk ka marrë asnjë para, por prona.

“Asnjë lekë s’kam, por kam prona. Kam aq lekë sa kam pas në vitin 1991 kur kam filluar, aq kam dhe sot. Asnjëherë nuk më dilnin se duheshin për të plotësuar…atëherë duheshin 20 euro, sot mbase me shifra më të mëdha, por prapë duhen, asnjëherë nuk ka tepruar asnjë lekë cash. Punoj sikur do jem i pavdekshëm.”

Për sa i përket stadiumit të ri kombëtar, kreu i FSHF-së u shpreh i gëzuar për ndërtimin e tij. Ai tha se federata sheh që janë plotësuar kushtet e brendshme dhe nuk i prish punë kulla.

“Jam shumë i gëzuar që kemi një stadium, i cili plotëson të gjitha kushtet për të patur dhe për të organizuar ndeshje. Një stadium që besoj se ndikon jo vetëm në cilësinë e futbollit, por edhe të njerëzve që vijnë. Balanca mendoj se është pozitive është një objekt i domosdoshëm dhe shumë i mirë për Shqipërinë për futbollin. Duke qenë në pozicionin e Federatës së Futbollit për ne është më e mira e mundshme sepse plotëson të gjitha kushtet e brendshme dhe nuk është se na prish ndonjë punë kulla.”/tvklan.al