Mazhoranca socialiste miratoi sot në Parlament amendimet e reja në Kodin Elektoral, me votat edhe të disa deputetëve të opozitës.

Këto ndryshime të kodit janë kundërshtuar nga opozita jashtëparlamentare, disa deputetë të opozitës në Kuvend dhe nga Presidenti Ilir Meta.

A janë këto ndryshime të Kodit Elektoral një marrëveshje e heshtur e socialistëve me kryedemokratin Lulzim Basha? Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist, u pyet drejtpërdrejt nga analisti Lorenc Vangjeli në emisionin Opinion në Tv Klan.

Balla nuk dha një përgjigje të prerë për këtë pyetje direkte, por u shpreh se nuk është në synimin e tyre që të krijojnë sistem bipolar në vend.

Lorenc Vangjeli: A keni një marrëveshje në distancë qoftë të heshtur qoftë pa zë me z.Basha? Sepse mua më ngjan që Kodi i ri Zgjedhor është një lloj përkthimi i marrëveshjes së Majit të 2017. Pra jo koalicionet, PD në të dyja rastet ishte në rrugë, dhe viktima janë të gjitha partitë e tjera. Dhe ju synoni edhe me këtë kod, në distancë ose jo, të instaloni përfundimisht një sistem bipolar në Shqipëri.

Taulant Balla: Bie poshtë sepse ne kemi një prag elektoral shumë të vogël që u mundëson partive të vogla ta kapin atë prag. Nëse Lulzim Basha në krye të Partisë Demokratike është i njëjti Lulzim që ka qenë në 17 Maj i cili ka kërkuar heqjen e koaliconieve, është po ai, padyshim që kjo ka ndodhur. Kjo formë koalicionesh që kemi sot ishte detyrim që buron nga hapja e listave. /tvklan.al