Sipas një studimi në Shtator të 2015-ës të publikuar në revistën shkencore “Nature”, thuhej se numri i pemëve në Tokë është më i madh sesa yjeve në galaktikën tonë “Rruga e Qumështit”.

Në këtë revistë u publikua një hartë që tregonte densitetin e pemëve në pyje në shkallë globale. Sipas hartës, numri i pemëve shkon afërsisht në 3 trilonë, ku shumica gjenden në pyjet tropikale dhe subtropikale.

Sipas specialistes së NASA-s, Maggie Masetti, shumica e vlerësimeve e vendosin numrin e yjeve në Rrugën e Qumështit midis 100 miliardë dhe 400 miliardë yje. Ekzistojnë modele të ndryshme për të vlerësuar numrin e yjeve në Rrugën e Qumështit dhe përgjigjet ndryshojnë në varësi të asaj që përdoret si masa mesatare e një ylli.

Përgjigja më e zakonshme duket të jetë: 100 miliardë yje në Rrugën e Qumështit! Përderisa këto vlerësime përafrojnë numrin aktual të pemëve në Tokë dhe yjeve në Rrugën e Qumështit, pretendimi është i saktë. Sidoqoftë, duhet të theksohet se vlerësimi i numrit të pemëve në të gjithë globin dhe yjeve në qiell është jashtëzakonisht i vështirë, dhe shifrat ndryshojnë në çdo matje, prandaj merren gjithmonë me përafërsi.

Për të bërë të mundur një numër sa më të saktë të pemëve në Tokë, shkencëtarët bënë mbi 428 mijë matje në terren.

Nga ana tjetër, është e vështirë të përcaktohet masa e një galaktike, sepse jo çdo trup i gjetur në të është një yll. Pjesa më e madhe e masës përbëhet nga materia e errët, e cila është një substancë misterioze.

Nëse dikush nuk zhvillon një metodologji të re për numërimin e yjeve e cila jep një numër shumë më të lartë se vlerësimet aktuale, duket sikur ka më shumë pemë në Tokë sesa yje në Rrugën e Qumështit. Gjithashtu i rëndësishëm për studimin është fakti që shkencëtarët vlerësuan se rreth 15 miliardë pemë priten çdo vit./tvklan.al