Situata e trazuar në veri të Kosovës pas vrasjes së policit të Policisë së Kosovës ishte në qendër të emisionit edhe mbrëmjen e sotme në emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Gazetari Artan Hoxha përmes një pyetje i drejtohet politikanit dhe ish-luftëtarit të UÇK në Kosovë, Fatmir Limaj nëse autoritetet e mbrojtjes së Kosovës kanë pasur dhe kanë dhënë informacionet e duhura që mund të shmangnin humbjen e jetës së policit Afrim Bunjaku.

Artan Hoxha: Ju si një njohës i taktikave guerile të luftimit, duke parë armatimin, sasinë e madhe të armatimit, numrin e madh të pjesëtarëve të skuadrës së sulmit, dhe pjesën e shpenguar kur largohen a kanë një koordinim se tërheqja e tyre do të jetë pa pasoja. I gjithë ky koordinim, trupa, bazë logjistike, lëvizje dhe kapje të pikave logjistike kërkon një kohë të gjatë. Autoritetet e Kosovës a kanë dhënë informacioni e duhur, që të shmangej humbja e jetës së dëshmorit Bunjaku dhe më pas të eskalimit të situatës?

Fatmir Limaj: Ajo që dua të them është se asnjë shërbim nuk mund të jetë 24 orë në vëzhgim të zhvillimit të operacionit. Ajo që ka ndodhur me policin tonë ka qenë fillimi i operacionit dhe aty është thyer diçka. Grupi nuk ka pasur për qëllim për të vrarë një polic dhe për tu kthyer. E rëndësishme është veprimi i shpejtë, dhe izolimi i grupit dhe aty është shkatërruar plani i tyre për tu zhvilluar në pika të ndryshme për të realizuar planin dhe këtu kanë luajtur rol agjencitë tona të sigurimit sepse nuk ka mundur policia e Kosovës sepse s’ka qenë aq e gatshme. Agjencitë tona të sigurimit bashkë me partnerët kanë pasur informacion të vazhdueshëm, dhe mënyra se si kanë reaguar njësitë tona tregon se në rrugë operative ka pasur informacione.”

/tvklan.al