Në zonën e njohur si Yzberisht 2, në rrugën “Fabrika e qelqit”, prej 20 vjetësh mungon uji i pijshëm. Banorët thonë se janë ankuar me dhjetëra herë pranë UKT-së, por nuk është marrë asnjë masë. Ata tregojnë se u vijnë fatura uji pa e parë ujin me sy. Inxhinieri i UKT-së, Dorian Zaganjori, premton se do t’u jepet zgjidhje banorëve të Yzberisht 2, duke investuar për një projekt të ri, por asnjë afat nuk duket për ardhjen e ujit në tubacione. Në këto kushte banorët janë mbledhur me bidona në dorë dhe ia kanë marrë së bashku këngës “A kanë ujë ato burime”…

Një prej banorëve shprehet se nuk kanë ujë, për shkak të kanalizimeve të prishura, por edhe pse ata ankohen 3 herë në vit, ende nuk janë rregulluar.

Gazetarja – Jeni të rregullt me pagesat e faturave?

“Unë i kam paguar deri në 2008 sepse nuk furnizohemi me ujë. Sapo të na vijë uji, do të fillojmë të paguajmë rregullisht.

Të gjithë banorët ankohen për mungesën e ujit dhe i luten UKT-së për zgjidhjen e këtij problemi, pasi është i domosdoshëm për jetesën.

“Erdhi Erion Veliaj, doli në televizor dhe tha se Yzberishti u furnizua me ujë. Ngjitet në depozitë pa pompë. Po ku është uji? Se këtu te ne jo!”

Një prej banorëve thotë se një ndër arsyet e mosfurnizimit me ujë është një kanal, ku bashkohen ujërat e zeza me ato të bardha.

Gazetarja e emisionit “STOP’ i drejtohet UKT-së për të marrë një përgjigje rreth kësaj cështje, ku komunikon me Inxhinierin e Shfrytëzimit në UKT, Dorian Zaganjorin.

“Nga ana jonë është konstatuar që janë lidhje të paligjshme në atë linjë dhe po pretendojmë të bëjmë një investim përsëri aty sepse investimi që është bërë ndër vite nga komuna e Kasharit është keqmenaxhuar.”

Rëndësi ka që UKT-ja do të investojë, por se kur kjo ngelet për t’u parë. Deri atëherë banorët do të ngushëllohen me këngën “A kanë ujë ato burime”!/tvklan.al