Kushtetuta përcakton qartë vetëm tre raste

Teksa tensionet mes Presidentit dhe mazhorancës janë rritur, janë shtuar edhe zërat se Presidenti mund ta shpërndajë Parlamentin, si kundërpërgjigje e nismës parlamentare për shkarkimin e tij.

Por a mundet ta shpërndajë kreu i shtetit Kuvendin dhe cilat janë rastet e përcaktuar në Kushtetutë për shpërndarjen e legjislativit?

Ligji themeltar i shtetit përcakton qartësisht vetëm tre raste.

I pari i përket nenit 87, pika 5 dhe ka të bëjë me procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në rast se zgjedhja dështon në të pesta raundet, Kuvendi shpërndahet vetë pa ndonjë dekret presidencial.

“Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij”.

Rasti i dytë parashikohet kur Parlamenti dështon për të zgjedhur Kryeministrin e ri. Në një situatë të tillë, shpërndarja bëhet nga Presidenti, siç përcaktohet në nenin 96 të Kushtetutës, në pikën 4.

“Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin”.

Rasti i tretë ka të bëjë me mocionin e besimit të qeverisë të paraqitur nga vetë Kryeministri, i sanksionuar në Kushtetutë në nenin 104, pika 2. Kur mocioni votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, është Kryeministri ai që i kërkon Presidentit ta shpërndajë Kuvendin.

“Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës. Kërkesa për mocion besimi nuk mund të paraqitet gjatë periudhës së shqyrtimit të mocionit të mosbesimit, sipas nenit 105”.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon asnjë moment tjetër kur Presidenti, me iniciativë të tij të mund të shpërndajë Kuvendin.

Edhe në rastet kur kreu i shtetit vepron, duhet që më parë të krijohen situatat e përcaktuara në nenet 96 dhe 104.

Këto përcaktime të Kushtetutës u japin përgjigje shteruese zërave të këtyre ditëve për një dekret të mundshëm presidencial për shpërndarjen e Kuvendit, zëra që janë shtuar pas përplasjes së fundit Presidencë – mazhorancë për emërimet e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.

Tv Klan