A mund të jemi miq të afërt pas një dashurie të përfunduar?

Posta

A mund të jemi miq të afërt pas një dashurie të përfunduar?

18:37 12/10/2019

A mund të kthehet dashuria në miqësi?

Dashuria dhe miqësia, tema që gjithmonë kanë interes dhe secili prej nesh ndan mendime të ndryshme. Tek “Rudina” në Tv Klan është folur shpesh për dashurinë, por sot u fol për miqësinë pas një dashurie të përfunduar. A mund të kthehet dashuria në miqësi? Për disa mund të jetë më e thjeshtë ndërsa për të tjerë e pamundur, por për të diskutuar më gjatë rreth kësaj teme Rudina kishte ftuar balerinën Isida Mollaymeri, sociologun Gëzim Tushi, modelen Xhensila Pere dhe gazetarin Flavio Qarri.

Sipas studimeve të ndryshme thuhet se pasi bie në dashuri me dikë, mbetet një ndjenjë kujdesi për të që nuk mund të zhduket kurrë, pavarësisht se si lidhja mund të përfundojë. Ndonjëherë   nuk dëshirojmë që ta pranojmë këtë, por mund të mbetet diçka brenda nesh.

Ka shumë arsye sepse një lidhje mund të përfundojë, por për sa i përket miqësisë, midis çifteve shpesh herë kthehet në një vështirësi mjaft të madhe.

Isida Mollaymeri mendon se ekziston shoqëria pas ndarjes. “Të paktën mua më ka rezultuar kështu. Ndoshta janë njerëzit vetë që i krijojnë marrëdhëniet. Unë mendoj se një person që ke ndarë kaq shumë gjëra, nuk mendoj se nesër të mos i flasësh, ose të bëhet kaq i huaj…por nga eksperiencat e shoqeve, ose sa kam dëgjuar, disa thonë se të bëhet krejt i huaj”, thotë ajo.

Ndërsa Pere thotë se më shumë se nga mënyra se si janë ndërtuar marrëdhëniet, tek kjo pikë ndikon mënyra se si jemi ndarë dhe përse jemi ndarë. “Miqësi, miqësi e mirëfillte nuk mund të quhet. Të paktën unë nuk mund ta quaj. Por ta shohësh si të huaj, mua më duket pak absurde, pasi është një person me të cilin ke ndarë gjithçka.”

Për sociologun Tushi, kalimi nga një martesë problematike drejt një divorci, duhet vlerësuar edhe në kontekstin tonë. “Në fakt ndryshojnë raportet, dikur ke qenë çift martesor, dhe ke pasur përgjegjësitë e martesës, natyrisht që një martesë gri kalon drejt një divorci. Por ne në shoqërinë tonë kemi defekte edhe në kulturën e martesës, edhe në kulturën e divorcit. Nuk i bëjmë në mënyrë qytetare. Ti mund të ndryshosh status, nuk je më çift, nuk je më partner, por ti në fund të fundit ke statusin e qytetarit dhe të prindit kur ke fëmijë. Tek ne divorcet janë të dhunshme dhe hakmarrëse.”

Gazetari Qarri thotë se “në ato raste kur marrëdhënie në çift ka qenë një histori dashurie e vërtetë, është praktikisht pranë zeros mundësia për ta ruajtur një miqësi relativisht funksionale. Ndërsa në aventurë nuk ka asnjë problem.”/tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT