Triumfi i mesfushorit kroat Luca Modriç, ne ceremoninë e “Topit të Artë”  ka kaluar në plan të dytë, teksa për herë të parë në histori u dha edhe “Topi i Artë” për femra i fituar nga norvegjezja Ada Hegerberg.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të mbajtur në Paris u shënua edhe një incident, që është përhapur gjerësisht në rrjetet sociale, i konsideruar si seksist.

Një ndër prezantuesit e mbrëmjes, DJ i famshëm Martin Solveig, i kërkoi 23-vjeçares që ta festonte trofeun, duke e pyetur nëse dëshironte të kërcente sipas modës së fundit, “twerk”.

Hegerberg buzëqeshi në siklet dhe u shtang nga pyetja e Solveig, ndërsa më pas tha “jo” dhe tentoi të largohej nga skena.

Ishte ndërhyrja e ish futbollistit francez David Zhinola që e zbuti situatën duke i kërkuar futbollistes të kërcente një vallëzim me Solveig.

Ndonëse pas ceremonisë së Topit të Artë, Solveig kërkoi falje publike për batutën e tij duke e justifikuar si një shaka, ai vazhdon të kritikohet në rrjetet sociale.

Tv Klan