Mes luftës së Musk e Bezos për hapësirën dhe përpjekjeve të NASA-s për kolonizimin e Marsit, ngrihet pyetja e thjeshtë: çfarë do të hanin njerëzit nëse do të ndodheshin atje?

Deri më tani janë zhvilluar mjaft eksperimente për rritjen e bimëve në hapësirë. Ndërkohë eksperimenti më i fundit ka filluar javën e shkuar për rritjen e qelizave të mishit. Aleph Farms, një kompani izraelite e fokusuar në këtë fushë  është e para që po përpiqet ta realizojë këtë në hapësirë.

Qelizat e marra nga një lopë apo çfarëdo kafshe tjetër ushqehen me aminoacide dhe karbohidrate që të rriten dhe të formojnë inde derisa krijon mishin. Ky mish rritet në ‘akuariume’ dhe i tërë procesi i lindjes, jetës dhe therjes së një kafshe, tejkalohet.

Megjithatë, edhe pse ky eksperiment mund të rezultojë i suksesshëm, nuk do të thotë se është një ide e mirë. Ekspertët evidentojnë se supermarketet nuk janë të tejmbushura me këtë lloj mishi sepse është i vështirë për t’u prodhuar në masë.

Aleph Farms po pret ende një konfirmim që të furnizojë restorantet. Ky mish nuk ka siguruar ende pozitën e tij në Tokë, ndërkohë që diskutohet hapësira.

Lidhur me këtë, çështja e parë e kultivimit të mishit në hapësirë është steriliteti. “Qelizat e kafshëve rriten ngadalë. Nëse bakteret apo kërpudhat do të hynin në mish do të shumoheshin shumë më shpejt. Kështu nuk do të prodhohej më mish, por baktere që duhen flakur”, thotë David Humberg, një inxhinier kimik në Berkeley.

Një tjetër shtesë në problem është transportimi i ushqimit, i cili kushton shumë. Nga ana tjetër, cilësia e ushqimit ndikon në shëndetin mendor të astronautëve, për të cilët është e rëndësishme ta shijojnë atë.

Sigurisht që eksperimenti nuk është pa rëndësi sepse ka vlerë të dihet nëse mund të prodhohet mish në hapësirë. Gjithsesi, kjo nuk hedh poshtë problemet që ngrihen mbi cilësinë, sigurinë dhe prakticitetin e prodhimit të tij apo transportimit nga planeti ynë./tvklan.al