Shkencëtarët mblidhen për të diskutuar teknikën e re mbrojtëse

Ruajtja e planetit tonë nga goditjet e asteroideve apo parashikimi i trajektores së tyre është një nga detyrat themelore të NASA dhe Agjencisë Hapësinore Europiane. Rreziku nga meteorët është një shqetësim i vazhdueshëm.

Për diskutuar mbrojtjen e Tokës nga goditjet e asteroideve, shkencëtarët e këtyre dy agjencive do të organizojnë një takim në Romë në datat 11-13 Shtator.

Aty do të diskutojnë rreth një sistemi të ri që synon të ndryshojë trajektoren e asteroidit, duke devijuar rrugën e tij në mënyrë që të shmanget përplasja me Tokën. Misioni i përbashkët mes NASA dhe Agjencisë Hapësinore Europiane është planifikuar që të realizohet në vitin 2022 dhe do të testohet nëse është e mundur që të devijohet orbita e asteroidit.

Kjo do të realizohet përmes një anije kozmike, e cila do të përplaset me meteorin. Ndërsa një anije kozmike e dytë do të monitorojë zonën e përplasjes dhe do të grumbullojë të dhëna për efektet pas përplasjes nëse ka ndikuar në trajektoren e asteroidit.

Këto të dhëna më pas do të analizohen për të përmirësuar teknikën e devijimit të një meteori potencialisht të rrezikshëm për planetin. Nëse misioni rezulton i suksesshëm, atëherë kjo teknikë mund të përdoret për të shmangur goditjet nga asteroidët shkatërrues në të ardhmen. /tvklan.al