Votimet e së dielës në Austri mund të rezultojnë në zgjedhjen Norbert Hofer në krye të vendit si udhëheqësi i parë i së djathtës ekstreme, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Austriakët shkojnë në zgjedhje pas fitores këtë javë të François Fillon, njëri prej kandidatëve më të djathtë në zgjedhjet paraprake mes konservatorëve. Analistët thonë se votuesit në të dy vendet po influencohen nga ngjarjet politike në Angli (Brexit) si dhe nga zgjedhja e Donald Trump në Shtetet e Bashkuara.

Fillon, dikur kryeministër në kabinetin e presidentit Nicolas Sarcozy, është më konservator se dy rivalët kryesorë që konkurruan për postin e presidentit në zgjedhjet paraprake të Partisë Republikane franceze të dielën.

Ai është krahasuar me udhëheqësen konservatore britanike, Margaret Thatcher, për thirrjet e tij për shkurtime të shpenzimeve qeveritare, shkurtim taksash për të pasurit, shtimin e shpenzimeve të mbrojtjes dhe kufizimin e punës javore prej 35 orësh.

Analistët thonë se fitorja e tij tregon prirjet e votuesve francezë drejt së djathtës, gjë që u vu re gjatë ngritjes së Marine Le Pen e Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë, që është kundër imigracionit. Popullariteti i saj njohu rritje të menjëhershme pas sulmeve terroriste që goditën Francën verën e kaluar.

Fitorja e Fillon para zgjedhjeve të përgjithshme që do të zhvillohen në Francë vitin që vjen, është një shenjë tjetër se vendi është kundër klasës politike tradicionale në të njëjtën mënyrë sikurse ndodhi edhe në Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë në Evropë.

Ashtu si vlerësohet Donald Trump në Shtetet e Bashkuara, shumë francezë e konsiderojnë Fillon, një avokat i kthyer në politikan, si një të jashtëm që mund të sjellë ide të reja pas një qeverisjeje nga presidenti socialist François Hollande, ndaj të cilit ka patur shumë kritika në media. Vlerësimi ndaj punës së tij ra në katër përqind në muajin nëntor.

Ndërkohë zgjedhjet të dielën në Austri mund të pasqyrojnë një prirje të ngjashme dhe shërbejnë si një provë për fuqinë e lëvizjes populiste në Evropë./ tvklan.al

Burimi: VOA