A po lufton batalioni bullgar në Ukrainë apo vetëm në Facebook?





A po lufton batalioni bullgar në Ukrainë apo vetëm në Facebook?

14:27 01/06/2022

Të veshur me veshje ushtarake të kamuflazhit, helmeta, çizme të zeza dhe duke mbajtur ato që duken si armë automatike, një grup pozoi për një fotografi të bërë në një vend pyjor dhe duke mbajtur flamurin bullgar.

Fotografia është postuar më 24 mars në një llogari të Facebook-ut të ashtuquajtur Batalioni i Huaj Maqedono-Bullgar “Todor Alexandrov”, një referencë për një udhëheqës të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase (MVRO), që ishte aktive gjatë dhe pas periudhës së sundimit osman në Ballkan. Sipas kësaj llogarie, ky grup është dislokuar në Ukrainë për të luftuar kundër forcave pushtuese ruse.

Menjëherë pasi u shfaq në Facebook kjo foto, në mediat bullgare u shfaqën artikuj rreth grupit, përfshirë edhe intervista me anëtarë të supozuar të kësaj force luftarake, të cilët flisnin për misionin e tyre dhe bënin thirrje për donacione.

Pak kohë pasi Rusia e pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje të huajve, të cilët janë të gatshëm, të ndihmojnë në mbrojtjen e Ukrainës dhe t’i bashkohen luftës. Qeveria madje krijoi edhe një ueb-faqe për ta, me qëllim që të bashkoheshin me brigadën ndërkombëtare, e cila tani besohet se ka mijëra anëtarë.

Batalioni i Huaj Maqedono-Bullgar, megjithatë, duket se nuk është në mesin e forcave të huaja.

Pasi u përball me pyetje në Parlament në muajin prill lidhur me këtë forcë të supozuar luftarake, ministri bullgar i Mbrojtjes, Dragomir Zakov, tha se fotografitë e postuara në Facebook ishin të rreme.

Disa analistë analizuan fjalët e Zakovit, duke theksuar se ai tha se fotografitë ishin të rreme, por nuk deklaroi në mënyrë eksplicite nëse ky batalion është po ashtu i rremë.

Shumica, për të mos thënë të gjitha të dhënat për ekzistencën e këtij grupi vijnë nga postimet në mediat sociale.

Thënia se ‘viktima e parë e luftës është gjithmonë e vërteta’ duket edhe më e vërtetë në epokën e mediave sociale. Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, lajmet e rreme kanë metastazuar nëpër rrjetet sociale, pjesa më e madhe e të cilave janë përçuar përmes videove të betejave që nuk kanë ndodhur kurrë ose kanë ndodhur në të kaluarën në ndonjë vend tjetër.

Shërbimi bullgar i Radios Evropa e Lirë ka analizuar fotografitë e publikuara në faqen në Facebook të këtij grupi dhe ka gjetur se të gjitha ishin bërë ose vite më parë ose ishin marrë nga faqe të tjera.

Një fotografi, për shembull, që pretendon se shfaq luftëtarë bullgarë ose maqedonas, duket se me të vërtetë paraqet luftëtarë bullgarë. “Mirëmbrëma, jemi në Ukrainë! Përshëndetje nga ne dhe vëllezërit tanë gjeorgjianë dhe ukrainas!”, thuhet në përshkrimin që e shoqëron fotografinë e postuar më 24 mars në llogarinë e këtij grupi në Facebook.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë gjeti një fotografi që ka një ngjashmëri të madhe me një fotografi tjetër, që duket se i përket grupit të njëjtë. Në vend të një flamuri bullgar, aty shfaqet një flamur i bardhë me vija të kuqe i opozitës bjelloruse, pranë një flamuri tjetër të zi anarkist.

Kjo fotografi fillimisht duket se është publikuar në kanalin në Telegram të grupit të luftëtarëve bjellorusë brenda Ukrainës më 23 mars, një ditë para se të shfaqej në llogarinë në Facebook të batalionit bullgar.

Një fotografi tjetër, e publikuar më 16 maj, që shfaq luftëtarë nga Korpusi Vullnetar i Ukrainës i Sektorit të Djathtë nacionalist, duke u betuar për besnikëri ndaj popullit ukrainas.

Fotografia origjinale daton të paktën dy ditë para se të publikohej nga Batalioni Maqedono-Bullgar.

Rastësi ose jo, ngjyrat e flamurit të Sektorit të Djathtë – kuq dhe zi – janë po të njëjtat e flamurit të VMRO-së, grupit të fillimshekullit 20-të, që u themelua nga revolucionarët maqedono-bullgarë që ishin anti-otomanë.

Në llogarinë në Facebook të Batalionit Maqedono-Bullgar, po ashtu, ka fotografi që nuk kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë.

Fotografitë e dronëve, për shembull, të cilat, sipas një postimi të 19 marsit pretendohet se janë dërguar nga një donator, mund të gjenden në faqe të ndryshme të internetit që shesin pajisje të tilla.

Krasi Panchev, i cili qe 14 vjet punon si kontraktor në një kompani private ushtarake, është shfaqur në një fotografi të postuar në llogarinë që ky batalion ka në Facebook. Panchev i tha Radios Evropa e Lirë se fotografia është bërë në Plovdiv të Bullgarisë dhe jo në Ukrainë, siç pretendohet në postimin në Facebook. Për më tepër, ai tha se ky nuk ishte një grup vullnetarësh, por personel ushtarak bullgar.

Kuriozë se kush mund të ketë qenë përgjegjës, Panchev dhe të tjerët shikuan edhe më thellë dhe hetimi çoi tek Ivan Belishki, një 22-vjeçar entuziast i armëve me ajër. Përfundimisht, ata e kontaktuan atë dhe i kërkuan që ta hiqte foton. Edhe pse Belishki mohoi se kishte ndonjë rol në këtë llogari në Facebook, fotografia u zhduk nga kjo faqe në këtë rrjet social.

“Kjo është një lloj shpikje e tij”, tha Panchev përmes Facebook-ut, duke drejtuar gishtin nga Belishki. “Nuk ka absolutisht diçka të tillë, nuk ekziston”, shtoi ai.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, Belishki, i cili kishte djegur një flamur rus gjatë një proteste në Sofje të organizuar në mbështetje të Ukrainës në ditët e para të pushtimit, mohoi se kishte ndonjë rol në këtë llogari në Facebook.

“Nuk kam të bëj asgjë me këtë”, tha Belishki. “Këto pretendime nuk janë serioze, dhe nëse dikush bën pretendime të tilla, do të doja ta dija në mënyrë që të ndërmarr veprime ligjore”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe Ministrinë e Mbrojtjes të Bullgarisë për të komentuar nëse janë duke hetuar përhapjen e dezinformatave në këtë llogari në Facebook. Ministria tha se nuk mund të jepte më shumë informacione sesa ato që i ka paraqitur në Parlament ministri Zakov.

Radio Evropa e Lirë po ashtu ka kontaktuar Ministrinë e Brendshme bullgare, por ky institucion nuk ka dashur të komentojë nëse ka nisur një hetim për këtë rast.
“Sigurisht, duke qenë se një informacion i tillë është publikuar zyrtarisht, janë ndërmarrë disa veprime”, tha kjo ministri.

Përderisa ky batalion mund të jetë asgjë më shumë sesa krijim në media sociale, burimet i thanë Radios Evropa e Lirë se disa bullgarë – diku nga 10 deri në 100 – mund të jenë duke luftuar në Ukrainë./REL













Të ngjashme