Duket e pamunduar që shëndeti mendor dhe alergjitë të jenë të lidhura në ndonjë mënyrë. Sekrecionet në hundë dhe lëkura e irrituar duket se nuk funksionojnë paralelisht me nxitjet mendore.

Megjithatë, një studim i ri ka arritur në përfundim se personat me astmë, ekzemë dhe alergji nga bari kanë një rrezik në rritje për të zhvilluar çrregullime të shëndetit mendor.

Studimi bazohet në punën e mëparshme dhe forcon kërkimet e mëhershme, gjithashtu mund të udhëzojë mjekët në mënyrën se si duhet të trajtohen pacientët me këtë alergji.

Astma, riniti alergjik (alergjia nga bari) dhe dermatiti atopik (ekzemë), janë disa nga alergjitë më të zakonshme dhe quhen tre “A-të”.

Studimi, i botuar në revistën “Frontiers in Psychiatry”, zbuloi lidhjet midis shëndetit mendor dhe tre A-ve. Dr Nian-Sheng Tzeng, nga spitali Tri-Service General në Tajvan dhe autori kryesor i studimit, vuri re diçka të papritur në lidhje me pacientët që vuanin nga këto alergji specifike.

Sipas Dr Tzeng,

“si një klinik, vura re se disa pacientë me tre A-të kishin shfaqur luhatje të shëndetit mendor. Prandaj, dëshiroja të sqaroja nëse këto sëmundje alergjike janë të lidhura me çrregullime psikiatrike”

.

Pavarësisht studimit të mëparshëm mbi lidhjen mes shëndetit mendor dhe alergjive, nuk kishte pasur studime mbi lidhjen midis tre A-ve dhe rrezikut të zhvillimit të çrregullimeve psikiatrike.

Lidhje të paparashikuara

Në studimin aktual, 10.8% e subjekteve zhvilluan çrregullime psikiatrike krahasuar me 6.7% të grupit të kontrollit.

Nga tre A-të, ekzema kishte rrezikun më të vogël. Studimi gjithashtu tregoi se përdorimi i barnave të caktuara kundër astmës uli rrezikun e zhvillimit të një çrregullimi psikiatrik.

Studimet e ardhshme

Studimi nuk ka shqyrtuar shkakun e mundshëm të kësaj lidhjeje të çuditshme duhet të bëhen kërkime të mëtejshme për të kuptuar përse ndodh ky fenomen.

Megjithatë, duke ditur që ekziston një lidhje mes alergjive të caktuara dhe çrregullimeve mendore kjo gjë mund të ndihmojë mjekët në trajtimin dhe kujdesin ndaj pacientëve të tyre./tvklan.al