Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, tha se Kuvendi duhet të votojë iniciativën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviç.

Deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviq. Ata pretendojnë se Gjukanoviçi ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë.

“Tashmë jemi një shumicë e sapo-konstituuar, e cila mbështet formimin e një Qeverie të re, por është mjaft e larmishme me subjekte të ndryshme politike, që kanë vizione të ndryshme. Zgjidhja me siguri do të vijë në zgjedhje, por nuk është presidenti ai që do të vendosë se kur do të zhvillohen ato zgjedhje”, tha Abazoviç.

Pas rrëzimit të qeverisë së Dritan Abazoviçit, më 20 Gusht, tre partitë që fituan shumicën në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi ranë dakord që Miodrag Llekiç të jetë mandatar për përbërjen e Qeverisë së re por, ata nuk i dorëzuan nënshkrimet e 41 deputetëve.

Abazoviç tha në intervistë se ka diskutuar edhe me zyrtarë amerikanë edhe “akuzat se Rusia financoi fshehtas Frontin Demokratik në vitin 2016 dhe ndoshta në 2018”. Ai tha se financimi i paligjshëm i partive politike duhet të jetë pjesë e agjendës në luftën kundër korrupsionit.

Në intervistën pas fjalimit të tij të parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Abazoviç tha se Mali i Zi nuk do të ndryshojë kursin e politikës së jashtme dhe se këtë ua kishte përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Ne mbetemi një partner solid dhe i besueshëm për botën euroatlantike, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht, duhet të punojmë më shumë për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Besoj se kemi bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por ende ka vend që të jemi edhe më mire”.

Gjukanoviç e refuzoi propozimin që Llekiq të jetë mandatar për formimin e Qeverisë së re të këtij vendi, me arsyetimin nuk janë plotësuar kushtet e nevojshme. Ai në të njëjtën kohë, propozoi shkurtimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kuvendit të Malit të Zi, për t’iu hapur rrugë zgjedhjeve të reja.

Partitë e shumicës parlamentare kundërshtuan zgjedhjet e reja dhe vazhduan të këmbëngulin që Gjukanoviç duhet ta pranojë Lekiçin si mandatar, dhe një ditë pas përfundimit të afatit i dorëzuan 41 nënshkrimet e tyre në mbështetje të kandidaturës së Lekiçit.

Klan News