Abazoviç: Raportet me Ramën, vëllazërore! Me Vuçiç shumë të mira, Kurtin e çmoj shumë  


Abazoviç: Raportet me Ramën, vëllazërore! Me Vuçiç shumë të mira, Kurtin e çmoj shumë  

00:19 27/09/2022

Gjatë një interviste për emisionin “Opinion”, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka folur për marrëdhëniet me kryeministrat Edi Rama e Albin Kurti si dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçciç.

Blendi Fevziu: Si janë raportet tuaja me Vuçiç?

Dritan Abazoviç: Shumë të mira, raportet e mija me

Vuçiç janë shumë të mira, janë kolegiale, të gjitha ato që fliten se Vuçiç se ka patur dorë në grushtin e shtetit ose involvimin e qeverisë të re apo diçka tjetër për mua nuk janë reale. Ai është president në shtetin e vet, ne kemi shtetin tonë sovran, i cili ka politikën e vet. Atë çfarë unë mundohem të bëj edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama edhe me atë të Kosovës, edhe me të Kroacisë, Plenkoviç, edhe me kryeministrin e Bosnjes, edhe me Kovačevskin, i cili është jashtëzakonisht bashkëpunues. Është për të pasur një marrëdhënie e cila është jo vetëm politike, por edhe personale, njerëzore sepse është një komponent shumë i rëndësishëm në Ballkan.

Blendi Fevziu: Kjo marrëdhënie shumë e mirë që ju quani me Vuçiç, se unë pyeta edhe kryeministrin e Shqipërisë disa ditë më parë, raport që edhe ai e konsideron shumë të mirë duket se nuk replikohet njësoj në raport me Kurtin. Raportet me Kurtit duken të ngurta.

Dritan Abazoviç: Unë nuk jam dakord me këtë thënie. Ne jemi takuar me zoti Kurtin dy apo tre herë…

Blendi Fevziu: Jeni të dy shqiptarë të Malit të Zi kam përshtypjen, dy shqiptarë nga i njëjti vend nuk shkojnë mirë shumë…

Dritan Abazoviç: E vërtetë unë mendoj se ne shkojmë mirë, ndoshta disa pyetje i shohim ndryshe, ndoshta atë të Ballkanit të Hapur e shohim ndryshe, por ajo nuk është gjë restrektive prej anës time, si unë për të pasur një mendim më të lartë apo të ulët për një person. Unë e çmoj shumë Albin Kurtin dhe e ka treguar se është parimtar në çdo aspekt ashtu siç jam edhe vet krenar që e ka prejardhjen prej Ulqini. I uroj çdo sukses në udhëheqjen e tij në Kosovë.

Blendi Fevziu: Po marrëdhënien me Ramën?

Dritan Abazoviç: Marrëdhëniet me Ramën janë shumë miqësore, vëllazërore, janë raporte specifike, personalisht kam qejf personat që mund të flasin për tema shumë serioze, por kur vjen momenti kanë qejf të bëjnë pak humor relaksojnë situatën. Mua këta persona shumë më konvenojnë, mendoj se edhe vetë jam ashtu.

Blendi Fevziu: Për ju po, po ne paguajmë për kryeministër jo për të bërë humor./tvklan.al












Të ngjashme