Ajo do t’ia kalojë fronin djalit të saj Frederik, në një ceremoni e cila do të mbahet te dielën

Gjatë mbretërimit të saj 52-vjeçar, Mbretëresha e Danimarkës Margrethe II është bërë një figurë shumë popullore për danezët, duke frymëzuar miliona njerëz në një kohë kur mbretërit në të gjithë Evropën luftojnë për të qëndruar të rëndësishëm në shoqërinë moderne.

Margrethe lindi në vitin 1940 nga Mbreti Frederik IX dhe Mbretëresha Ingrid me origjinë suedeze. Ajo ishte më e madhja nga tre motrat dhe u bë trashëgimtare në vitin 1953 pas një amendamenti kushtetues që lejonte gratë të trashëgonin fronin. Ajo u kurorëzua mbretëreshë në moshën 31-vjeçare, monarkja e parë femër e Danimarkës që nga vitet 1380.

Mbretëresha, 83-vjeçare, e cila u bë monarkja më jetëgjatë në Evropë pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth të Britanisë në vitin 2022 tanimë ajo do t’ia kalojë fronin djalit të saj, Frederikut, në një ceremoni e cila do të mbahet të dielën.

Flamujt danezë janë vendosur në të gjitha rrugët e kryeqytetit Kopenhagen. Të dielën, mbretëresha 83-vjeçare, do të hipë në një karrocë për në Pallatin Christiansborg për të marrë pjesë në Këshillin e Shtetit ku do të nënshkruajë abdikimin e saj dhe Frederiku bëhet mbret. Pas kësaj, ajo do të kthehet në shtëpinë e saj, ndërsa kryeministrja Mette Frederiksen shpall trashëgiminë e fronit nga ballkoni në Sheshin e Pallatit Christiansborg.

Pothuajse 80% e danezëve mbështesin monarkinë, tregojnë sondazhet e fundit të opinionit. Princi i kurorës Frederik do të bëhet Mbreti Frederik X. Ai u martua me Mary Elizabeth Donaldson në 2004 me orgjinë australiane dhe çifti ka katër fëmijë.

Princesha e kurorës Mary, nga shteti ishullor i Tasmanisë, u takua me Princin e Kurorës Frederik në Sidnei gjatë Lojërave Olimpike Verore të vitit 2000. Puna e saj për çështjet sociale dhe detyrat e saj mbretërore e kanë bërë gjithashtu të dashur për popullatën daneze.

“Ajo beson në ato kauza dhe ajo kujdeset thellësisht për to. Më pas ajo studion se çfarë mund të bëhet më mirë dhe më shumë. Siç thashë, ajo është shumë kurioze dhe intelekti i saj është shumë i lartë dhe kur e kombinon këtë me cilësitë personale atëherë tregon vërtet potencialin e plotë të një lidereje.”

Historianët shprehen se të ndjekësh gjurmët e mbretëreshës Margrethe monarkes më jetëgjatë në Evropë, do të ishte një sfidë për pasardhësin e saj, djalin e saj të madh, Princin e Kurorës Frederik, por  presin që monarkia daneze të ruante popullaritetin e saj të lartë.

Klan News