Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tij, po neglizhon gjendjen me pandeminë në Kosovë, duke u marrë me zgjedhjet në Shqipëri.

“Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri,nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij, në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi”, ka shkruar ai përmes një postimi në Facebook.

Tutje Abdixhiku thotë se përpjekja për të prekurit e familjet e tyre, për secilin tjetër që pret shpëtim, është një shembull sjellje prej lideri, ndërsa Abidixhiku thotë se këtë sjellje Qeveria Kurti nuk po e jep dot.

“Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”.

“Duket se 14 shkurti është kuptuar si fund e jo si fillim. Por me këtë fillim të dobët, të dobët shumë, edhe muajt e mjaltit marrin fund. Keni përgjegjësi, mbani përgjegjësi”, ka shkruar Abdixhiku, përcjell Klan Kosova./klankosova