Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë konstruktive sa i takon çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit, tha të martën, kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

“Do të punojmë për interesin e Republikës së Kosovës, dhe ky interes nënkupton që do të jemi konstruktivë, të jemi të afërt ndërmjet veti, duke i projektuar idetë tona, por njëkohësisht duke i shërbyer institucioneve të Republikës së Kosovës. Do të jemi konstruktivë, duke i mbrojtur idetë, pozicionet dhe idealet dhe idetë e LDK-së”, tha Abdixhiku.

Gjatë një deklarate për media, pas homazheve në kompleksin memorial të familjes Jashari në Prekaz, Abdixhiku po ashtu konfirmoi se të premten, do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Osmani dhe Kurti të hënën zhvilluan takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, lidhur me formimin e institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ndërkaq, të martën, po zhvillohen takime me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, në të cilat partia e Kurtit shënoi fitore bindëse, për 22 mars është caktuar mbajtja e seancës konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.

Përveç konstituimit të kuvendit dhe zgjedhjes së qeverisë, deputetët duhet të zgjedhin edhe presidentin e ri të vendit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do t’i ketë 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tetë.

Nga komunitetet, Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Unioni Socialdemokrat.

Presidenti i Republikës së Kosovës, sipas Kushtetutës së Kosovës zgjedhet nga kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit.

Nëse asnjëri kandidatë nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./REL