Abdixhiku: Situata në veri kërkon unitet


Abdixhiku: Situata në veri kërkon unitet

17:48 25/09/2021

Kreu i partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se situata në veri të Kosovës kërkon unitet të plotë.

Ai tha se LDK-ja është e gatshme që ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar në veri, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat me Serbinë.

“Gjendja e tensionuar në Veri kërkon unitet të plotë, prandaj propozoj që kryeministri të mbledhë spektrin politik në vend, të ftojë partitë parlamentare në takim – pozitë e opozitë pa dallim, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet tona, vendore e të jashtme, për të mbrojtur interesat tona shtetërore sot”, tha Abdixhiku.

Ai po ashtu ftoi komunitetin ndërkombëtar që të veprojnë në mënyrë që, siç u shpreh ai, të shmangen “kërcënimet nga Serbia dhe tensionet në veri të vendit”.

Të shtunën, më 25 shtator, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur, ndërsa është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan. Sipas hetimeve preliminare, autoritetet kanë thënë aty janë hedhur dy bomba dore, por të cilat “nuk kanë eksploduar”.

Për shkak të situatës në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Që prej 20 shtatorit, ku u vendos masa e reciprocitetit, banorët serbë në veri të Kosovës po protestojnë. Ata kanë bllokuar dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak./REL






Të ngjashme