Do të përfshihet si tekst shkollor nga 2022-2023

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut ka dhënë pëlqimin për shfrytëzimin gjatë vitit shkollor 2022-2023 të Abetares në gjuhën shqipe që gjatë këtij muaji ishte prezantuar si abetare e përbashkët e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka dhënë pëlqim për përdorimin e materialit të përpiluar nga autorët Mimoza Gjokutaj, Saranda Kumnova, Naser Zabeli dhe Tereza Babasuli, i cili është dedikuar për nxënësit e klasës së parë të regjistruar në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe” – ka shkruar në Facebook pas një takimi me Zv/Kryeministrin e Parë, Artan Grubi, Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri.

Ministri Shaqiri ka shtuar se Ministria e Arsimit edhe në të ardhmen do të mbështesë çdo nismë për përdorimin e materialeve didaktike që janë në interes të nxënësve dhe ndihmojnë në realizimin e qëllimeve të definuara me planprogramet mësimore.

Abetarja e përbashkët ishte përgatitur si rezultat i bashkëpunimit të Ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës dhe tashmë është në përdorim në shkollat e atjeshme.

Klan Macedonia