Abonetë për studentët, në bazë të rregullores duhet të dalin në çdo datë 23 për muajin pasardhës. Por në Dhjetor, deri në javën e parë të muajit, nuk kishte abone. Studentët janë detyruar që për një javë të udhëtojnë me biletë ose të blejnë abone në treg të zi.

Në administratën e “Qytetit Studenti” thonë se nuk kanë dijeni se kur vijnë abonetë, ndërsa vetë studentët shpjegojnë se nuk përfitojnë atë që u takon ligjërisht.

Sekretari i Transportit Urban, Ervin Shijaku thotë se fajin për vonesën e muajit Dhjetor e ka Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, por edhe festat që shtynë procesin.

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” iu drejtua administratës së “Qytetit Studenti” për të pyetur nëse kanë ardhur abonetë.

Studentja – Unë jam e interesuar për abonetë. A kanë ardhur?

Punonjësja –

Vijnë sot, po ka shku për t’i marrë.

Studentja – Po si ka mundësi se e di pse, neve si studentë i kemi paguar lekët që në datë 23.

Punonjësja –

E di shumë mirë, po ça të bëj unë? Kjo nuk varet nga ne.

Studentja – Sot është data 4, tani 6 mijë lekë, mua më duhet të shkoj në punë, shkoj në shkollë.

Punonjësja – 

Të kuptoj shumë mirë, e di shumë mirë.

Studentja – Gati 2 mijë lekë në ditë: 5 x 2=10 (mijë lekë).

Punonjësja –

Mos vazhdo më se këtë gjë ia kemi thënë atyre të shoqatës.

Studentja – Më shkon 16 mijë lekë, moj.

Punonjësja –

Po ça? Mos e merr fare, shko merre 16 që në fillim, që me datë 1. Ça të them unë?!

Studentja – Po më leverdis këtu se jam studente.

Punonjësja –

Po të them pra që nuk varet nga ne dhe këtë ankesën e tre mijë studentëve ne ia kemi çuar atyre dhe nuk ka.

Studentja – Pse i vonojnë?

Punonjësja –

Nuk e di.

Studentja – Sepse do vazhdojë përsëri me Dhjetorin, kështu e njëjta situatë.

Punonjësja –

As nuk diskutohet se kështu është, me datë 3 – 4 i marrim gjithmonë, sidomos kur vjen e shtuna, e diela në mes.

Studentja – Po pra, këto të tjerët i kishin nxjerrë sepse thoshin: a doni abone në autobus?!

Punonjësja –

Kush të thoshte?

Studentja – Për shembull Bashkia i ka nxjerrë këto.

Punonjësja –

Po janë të ndara moj vajzë, janë të ndara ato që shiten kështu nga Bashkia, janë të ndara këto tonat, të ndara ato të tjerat.

Studentja – Po ç’taksirat kemi ne tani të paguajmë 16 (mijë lekë).

Punonjësja –

Po te neve nuk ankoheni dot, nuk kam ça të bëj.

Studentja – Po ku të ankohemi?

Punonjësja –

Po ça të them unë?! Mos i marrim fare, ka rrezik muajin tjetër mos i marrim hiç edhe nuk do i merrni më po vazhduan kështu. Ka shumë mundësi që muajin tjetër të mos i marrim fare.

Një studente tregon se për të shkuar në shkollë i duhet të marrë dhe të kthehet me dy autobusë, pra i duhet të shpenzojë 160 lekë të reja në ditë. Ajo mundi të blejë abonenë e studentit, që kushton 600 lekë, më datë 5 Dhjetor, pasi kishte shpenzuar 800 lekë prej vonesës së saj.

Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Shoqërisë së Transportit Rrugor, ku komunikoi me sekretarin në lidhje me vonesat e abonesë së studentit.

Gazetarja – Abonetë e Dhjetorit duhet të dilnin që në fund të nëntorit, nga data 28, 29, 30, që të kishin mundësi me i blerë. Ndërkohë që aboneja i vjen në datën 5. Tani këtë koston e këtyre studentëve nga data 1 dhjetor deri më datë 5, kush i justifikon? Domethënë, ju si Shoqatë e Transportit Urban çfarë?

Sekretari – 

Ndodhin këto… ndodhin këto gjëra sepse Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve na i ka nxjerrë, na i ka dhënë me shumë vonesë. Ato të tjerat pastaj, kemi edhe ne tonat. Kjo punë kështu ka shkuar me një fjalë.

Gazetarja – Po ç’vlerë ka të dalë aboneja më datë 5? Zotëri, të lutem! Ti je prind… je prind, nëqoftëse fëmija jot do të ishte student…

Sekretari – 

Po pushimet? Pushimet…

Gazetarja – Lëre… nuk është argument pushimi. Të lutem shumë, juve duhet të keni rregulla.

Sekretari – 

Ti bën pushim?

Gazetarja – Bëj pushim unë! Duhet të kesh një datë, një datë fikse. Po s’mund ta nxjerrësh ti abonenë më datë 2, datë 5, datë 10, kur të teket ty, e mban “peng”. Me një porosi, numër të caktuar që ty të sjell një Drejtori Konvikti.

Sekretari –

Nuk po them se edhe neve s’jemi të kulluar, me një fjalë.

Gazetarja – Institucioni që e ka mbajtur “peng” kësaj radhe nuk mund ta nxjerrë kur t’i dojë qejfi. Mund të ketë ditën e pushimit, ta kishte planifikuar meqë fillojnë pushimet e festave të Nëntorit.

Sekretari – 

Nuk e nxorri, nuk e nxorri…

Gazetarja – Do ta nxjerrë më përpara. Po mirë tani, ato të janarit kur do të dalin? Çfarë date do të dalin? Sepse, nëqoftëse do të ecim me këtë logjikë, i bie që janë festat e fundvitit. Ti ke pushim, do të thuash ai ka qenë pushim, do dalin me vonesë.

Sekretari- 

Po jo me, janari s’do dali… në janar do dalin se s’bën! Do dalin tamam ato. Ishalla na i bën Drejtoria (e Tatimeve) tamam, në kohën e duhur!

Gazetarja – Keni një datë fikse, zotëri? Një datë fikse, si operoni ju?

Sekretari – 

Data fikse ka qenë më datë 22-23, nuk zbatohet fare.

Pas kësaj bisede, gazetarja komunikoi me kryetarin e Shoqërisë së Transportit Urban, Ervin Shijakun, i cili tha se vonesa ka ndodhur për shkak të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Kryetari –

Përshëndetje!

Gazetarja – Përshëndetje z. Shijaku. Si kalove?

Kryetari – 

Mirë, Odeta! Si kaloni juve?

Gazetarja – Ne të emisionit “STOP” na ka ardhur një ankesë nga studentët që është vonuar aboneja. Në qoftë se aboneja e dhjetorit duhet të dilte që në 23 nëntor, studentëve u erdhi më datë 5 dhjetor. Përderisa këta studentë përfitojnë këtë abone të reduktuar, kush ia mbulon kostot nga data 1 deri në 5?

Kryetari – 

Ne i kemi marrë në datën 30 (nëntor), më 1 dhjetor në mëngjes janë tërhequr nga operatori. Sa janë bërë pullat gati, sa janë shpërndarë, i janë dhënë shkollave… Festat, pushimet, dita e shtunë, dita e dielë, i qëlluan të gjitha atyre.

Gazetarja – Dihen festat e Nëntorit, mund t’i kishin planifikuar pak më para, por është pjesë tjetër kjo.

Kryetari –

 Shiko, neve abonetë i marrim tek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Ne na janë dhënë më datë 30, të gjithë operatorëve… Bashkia çon shkresën tek Tatimet; Tatimet e çojnë shkresën tek Shtypshkronja Shtetërore; Shtypshkronja Shtetërore prodhon abonetë dhe ia kthen Tatimeve. Tatimet lajmërojnë që operatorët të tërheqin abonetë tek zyra e Tatimeve.

Pushimet për festat e Nëntorit shtynë procesin e shpërndarjes së aboneve të studentëve, por a do të ndodhë e njëjta gjë edhe me ato të fundvitit. Mbetet për t’u parë në janar…/

tvklan.al