Alkooli është i dëmshëm për shëndetin e sidomos për grupmoshat e mitura e të reja. Për këtë arsye, janë miratuar me ligj një sërë kufizimesh për përdorimin dhe reklamimin e produkteve, që përmbajnë alkool.

Në Tetor të vitit 2018 ligji 9518 pësoi disa ndryshime dhe me propozim të deputetit Erion Braçe, alkooli u barazua me pijet energjike dhe ato me gaz, duke u ndaluar njëlloj, si konsumi ashtu edhe reklamimi nga të miturit. Një ndryshim i tillë, nuk i përgjigjet normave të BE-së.

Kompanitë e mëdha në vend tregojnë dëmet, që u vijnë nga një ligj i tillë. Ndërsa zyrtarja e ISHP-së shpjegon, se kurrsesi alkooli dhe efektet e tij, nuk mund të barazohen me efektet e pijeve energjike e me gaz.

Aulona Zotaj, Specialiste e ISHP:

Unë do të ndalesha veçanërisht tek konsumimi i alkoolit, është një produkt psikotron, është edhe një produkt helmues, i cili ndikon në shëndetin e të rinjve, në mirëqenien e tyre, në zhvillimin fizik, por veçanërisht në psikikën e tyre. Duke qenë se adoleshenca është një proces zhvillimi i vazhdueshëm dhe për arsye se organizmi i tyre ende nuk është formuar, këto substanca siç është alkooli, duhani, por pa përjashtuar drogat, ndikimi i të cilave është shumë herë më i rëndë për organizmin.

Për këtë arsye ligjvënësit kanë ardhur gjithmonë duke i shtrënguar masat parandaluese dhe duke i vendosur me ligj ndalimin e përdorimit të alkoolit nën moshën 18-vjeçare.

Ligji 9518 i prillit të vitit 2006 për mbrojtjen e të miturve nga përdorimi i alkoolit, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë; Neni 1: Qëllimi i këtij ligji, parandalimi i pasojave shëndetësore nga konsumimi i alkoolit nga të miturit. Neni 2: Objekti i ligjit është ndalimi i përdorimit të alkoolit nga të miturit. Neni 8: Ndalimi i pijeve alkoolike në institucionet arsimore. Neni 10: Ndalohet çdo formë reklame e pijeve alkoolike që u drejtohet të miturve. Neni 11: Masa administrative me gjobë 10 mijë deri në 20 mijë lekë të reja.

Pra ky ligj ndalon të miturit dhe adoleshentët deri në moshën 18 vjeçare të konsumojnë pije alkoolike. Shpallur me dekretin nr 4860 të Majit të vitit 2006 nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu.

Shqipëria gjithmonë është përfolur si një vend i çudirave, por kur çudirat kanë natyrë negative ashtu siç është edhe ndryshimi i ligjit 9518 me propozimin e deputetit Erion Brace dhe miratuar nga deputet e mazhorancës që barazon alkoolin me pijet energjike dhe ato me gaz.

Në titullin e ligjit pas fjalëve nga përdorimi i alkoolit shtohen fjalët pije energjike dhe pijeve me gaz.

Neni 1 riformulohet si më poshtë: Parandalimin e pasojave shëndetësore nga konsumimi i alkoolit, pijeve energjike dhe ato me gaz.

Neni 9: Ndalimi i reklamave për pijet alkoolike, pijet energjike dhe pijet me gaz. Miratuar në 25 Tetor 2018 nga Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi. Në këtë ligj mungon dekreti i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Gjatë investigimit të emisionit “Stop” në lidhje ndryshimin e ligjit 9518 në lidhej me pijet energjike dhe ato me gaz nuk janë respektuar tre elementë kryesorë. Pikë së pari, ndryshimi i këtij ligji nuk është dërguar pranë faktorit ndërkombëtar 40 ditë para miratimit të tij, ashtu siç parashikohet në ligj duke marrë parasysh që Shqipëria është një vend aspirant drejt BE. Pikë së dyti, nuk është ngritur një grup pune nga Instituti i Shëndetit Publik për të parë dëmet dhe shkaqet që sjell pikërisht ndryshimi i këtij ligji për pijet energjike dhe ato me gaz. Dhe pikë së treti, nuk është diskutuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe nga Grupi i Punës që ka ndryshuar këtë ligj me grupin e interesit, bizneset të cilët preken drejtpërdrejtë nga ndryshimi i këtij ligji.

Ndryshimi i këtij ligji mund të themi se është absurd, pasi Shqipëria është i vetmi vend në botë ku ndalohet përdorimi i pijeve energjike dhe atyre me gaz deri në moshën 18-vjeçare. Dhe ky ligj ka barazuar këto pije me alkoolin.

Ana tjetër e medaljes që trajton emisioni “Stop” është biznesi, motorët e ekonomisë shqiptare dhe sa penalizohen ato me ndryshimin e këtij ligji, i cili i detyron këto biznese të mos tregojnë pijet energjike dhe ato me gaz nën moshën 18 vjeç dhe të mos i reklamojnë ato. Së pari në i jemi drejtuar pranë kompanisë Agna Group, për t’i pyetur se çfarë impakti negativ ka ndryshimi i ligjit, i cili ka barazuar alkoolin me pijet energjike dhe pijet e gazuara.

Vjoldi Danaj, Drejtor i R,I&D Agna Group:

Çfarë cenon ky ligj tek Agna Group? Cenon sigurisht shitjet për sa u përket këtyre pyetjeve energjike dhe pijeve me gaz ose me sheqer të shtuar. Na duket absurde të jemi të sinqertë që të krahasohen këto lloj pijesh me alkoolin. Ne kemi eksperienca ndërkombëtare, duke qenë se vetë punojmë me kompani ndërkombëtare si Pepsi, e cila është edhe vetë shumë e kujdesshme në këtë pjesë dhe një vendim i tillë, që çon moshën e mitur deri në 18 vjeç, ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek promocionet që këto kompani ndërkombëtare mund të bëjnë në vendin tonë.

Nga Red Bull thonë:

Në fakt u surprizuam nga miratimi i ligjit, sepse është një ligj absurd në vetvete fakti që barazon alkoolin me pijet energjike dhe pijet me gaz, apo sheqer të shtuar. Ne kemi bërë ndërkohë edhe lëvizjet tona që në fillim për mosaprovimin dhe mosmiratimin e këtij ligji, në instancat e ndryshme, apo edhe në të gjitha organizatat tregtare në të cilat ne aderojmë, por fatkeqësisht ligji, për arsye të ndryshme, u miratua nga ligjvënësit e vendit tonë. Shpresojmë që ky ligj të rikthehet në vëmendje të të gjithëve dhe në parlament dhe të kemi mundësinë që të rishikohet, sepse është një ligj që edhe nga partnerët tanë, apo nga konsultat në rajon, në Europë, apo më gjerë, nuk ka të ngjashëm në vende të tjera

.

Edhe gjiganti i Coca Cola, distributori i saj në Shqipëri, i ka çuar një shkresë zyrtare Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit Meta, në lidhje me ndryshimin e Ligjit, i cili penalizon dhe ndalon tregtimin dhe reklamimin e pijeve energjike dhe atyre me gaz nën moshën 18-vjeçare.

Menaxheri ekzekutiv i kësaj kompanie shpreh shqetësimin pranë Presidentit të Republikës mbi këtë ligj, i cili cenon ekonominë e kësaj kompanie gjigante, por edhe ekonominë e Republikës së Shqipërisë.

Për të marrë një përgjigje sa më të saktë pasi ne nuk jemi specialistë, ne jemi drejtuar pranë Institutit të Shëndetit Publik për të pyetur nëse alkooli është i barabartë me pijet energjike, apo ato me gaz.

Gazetari: Për sa i përket ligjit të ri, i cili është duke u aprovuar dhe duke u shpallur në Fletoren Zyrtare, i cili ndalon tregtimin e pijeve energjike dhe atyre me gaz dhe i barazon me alkoolin, pyetja e drejtpërdrejtë për ju si specialiste është: A është njëlloj alkooli me këto pije? A klasifikohet si i barabartë si në dëme edhe në faktorë të tjerë që ndikojnë në grupmoshat e adoleshencës?

Aulona Zotaj, Specialiste e ISHP: Për sa u përket pijeve energjike, pijeve me gaz, kanë pa diskutim, sepse ato kanë kafeinë në përbërjen e tyre. Kanë stimulues të tjerë, sheqer të shtuar dhe këto sjellin probleme të caktuara shëndetësore. Por këto nuk krijojnë varësinë dhe dehje. Nuk janë njëlloj si alkooli, por padiskutim për moshat e reja edhe këto kanë dëmet e tyre specifike në shëndet.

Në mënyrë që ky ligj të rikthehet dhe të rishikohet në parlament janë dy alternativa: Gjykata Kushtetuese, e cila është jashtë funksioni momentalisht dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili në bazë të ligjeve duhet ta rikthejë edhe një herë këtë ligj në parlament, për t’u riparë dhe për tu bërë ashtu siç duhet, ashtu siç funksionon në rajon, në Europë dhe në botë.  Dhe jo ndryshe siç funksionon këtu në Shqipëri, një histori Nastradini./tvklan.al