Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame përmes në një konferencë për shtyp ka folur me shifra konkretë përsa i përket dëmtimit të regjistrave në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Lame ka thënë se nga 2342 regjistra pronash në Tiranë, vetëm 250 rezultojnë pa dëmtime.

Artan Lame: Situata me regjistrat pronësorë në Tiranë, për fat të mirë nuk është në situatën katastrofike që u gjetën në Durrës. Nga 2342 regjistra pronash, vetëm 250 rezultojnë pa dëmtime, të tjerat rezultojnë të dëmtuara. Më e detajuar, 515 faqe mungojnë tërësisht. I mbetet historisë dhe hetimeve për të zbuluar se çfarë ka pasur në këto faqe që nuk ekzistojnë. Me qindra faqe të dyshuara si të hequra sepse ndryshon faqja apo formati i faqes në regjistër. 914 faqe të dubluara, kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri t’i trajtohej dhe një qytetari dhe një tjetri.180 faqe të grisura, nuk ekzistojnë në regjistër. Ekzistojnë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër. Mijëra faqesh pronash shtetërore që kanë përtuar t’i plotësojnë. Në rastin e Tiranës, pesha është 4 herë më e vogël në shifra se në Durrës. Regjistrat më të dëmtuar janë ato në zonat në zhvillim të kryeqytetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Lame në lidhje me mbajtjen e përgjegjësisë, ka thënë se më përpara nuk ka pasur një rregullore se kush i administronte regjistrat. Lama u shpreh se inventari do të thotë se pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë në regjistrat e pronave.  

Artan Lame: Nuk ka pasur asnjë rregullore se kush i administronte regjistrat. Nuk e gjen dot, por edhe sikur të merremi për të gjetur përgjegjësinë, atë e ka çdo minstër i drejtësisë, çdo kryeministër, çdo gjykatës që ka bërë këtë mish mash në gjithë këto vite për të shkuar pastaj tek punonjësi i arkivës. Inventari do të thotë se pas kësaj dite, nuk ka më rrëmujë. Arkivi është më sistem alarmi dhe me kamera. Edhe raporti i Tiranës do t’i përcillet Kryeministrisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Zgjidhja do të vijë përmes digjitalizimit dhe skanimit të të gjithë regjistrave pronësorë, proces i cili ka filluar. Do të fillojmë me këtë rrugë edhe me qytetet e tjera.

Gjatë fjalës së tij, Lame ka shtuar se do nxirren përfundimet e raportit, i cili do të përfundojë në Prokurori ku do të nxirren pastaj dhe personat konkretë përgjegjës.

Artan Lame: Nuk ka më prekje. Kontrolli ka filluar para disa muajve, situata është ngrirë, dhe tani po nxjerrim përfundimet e raportit. Ky raport do të përfundojë në Prokurori, që nga ana e saj do të nxjerrë persona konkretë. Nuk duhet të harrojmë që Kadastra tashmë është një mulli i rinovuar, por që për fat të keq bluan grurë të vjetër, sepse i tillë është materiali./tvklan.al