Abuzimi i 15-vjeçares, psikologia: Të mos fokusohemi specifikisht tek ngjarja, por tek fenomeni



Abuzimi i 15-vjeçares, psikologia: Të mos fokusohemi specifikisht tek ngjarja, por tek fenomeni

14:16 05/06/2020

Një ngjarje tejet tronditëse ka shokuar ditët e fundit opinionin publik në vendin tonë. Një vajzë 15-vjeçare u abuzua seksualisht me dhunë nga një burrë 65-vjeçar dhe 3 persona të tjerë të moshës, 20, 16 dhe 15 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi në Babrru. Hetimet zbuluan se ai pasi kishte abuzuar me dhunë me të miturën, i kishte bërë edhe video intime.

Këtë video ia kishte dhënë tre personave të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e publikimit të videos, kryen gjithashtu marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën. Edhe në këtë rast, 15-vjeçares iu bë video intime dhe ajo u kërcënua se pamjet do t’i shpërndaheshin personave të tjerë.

Për të diskutuar për këtë ngjarje të rëndë, sot në programin “Historia ime”, në Tv Klan, në një lidhje Skype ishte psikologia Valbona Treska.

Ajo u shpreh se nuk duhet të fokusohemi tek ngjarja, por tek fenomeni duke ngritur pikëyetjen se sa të shëndetshëm dhe të sigurt jemi ne si shoqëri, për t’i bërë prezente raste të tilla.

Valbona Treska: Nuk është ngjarja e parë, ka patur dhe ngjarje të tjera që kanë bërë jehonë publike dhe mediatike dhe më pas janë harruar. Unë nuk do të doja në fakt të fokusohesha shumë tek ngjarja dhe gjej rastin nëpërmjet emisionit tuaj t’i bëj një thirje kolegëve dhe profesionistëve të tjerë të fushës, të mos fokusohen specifikisht vetëm tek ngjarja, por të flasin për fenomenin në tërësi. Sot kemi një 15-vjeçare, disa kohë më parë kemi patur një 14-vjeçare, mbas disa kohësh mund të kemi një 17-vjeçare. Pra le të mblidhen profesionistët dhe le të flasin për fenomenin. Për aq kohë sa vazhdojmë të flasim për rastin, e vetmja gjë që bëjmë është që vazhdojmë, e them dhe e rithem këtë gjë, kam vite që e ngre në media këtë gjë, vazhdojmë të viktimizojmë viktimën dhe gjithë familjen, por edhe komunitetin. Ajo çfarë është e rëndësishme për të thënë është fakti sa të shëndetshëm jemi ne si shoqëri për t’i bërë prezente raste të tilla, sa sy dhe veshë kemi ne për raste të tila, por edhe sa të sigurt ndjehemi ne vetë për t’i bërë prezente këto dukuri.

Më tej, Treska shton se përgjithësisht njerëzit janë indiferentë, por këto problematika dhe ngjarje të tilla janë një këmbanë alarmi për të gjithë shoqërinë tonë, në mënyrë që t’i kthejmë sytë dhe veshët nga këto viktima të dhunës seksuale.

Valbona Treska: Dhe jo vetëm në rastin e abuzimeve seksule, por konstatojmë që edhe në rastin e dhunës në familje, edhe në rastet e konflikteve të tjera, njerëzit janë indiferentë. Kështu që të gjitha këto emisione që media ngre, të gjitha këto problematika që ne të gjithë bashkë ngremë, janë edhe një këmbanë alarmi për të gjithë shoqërinë tonë në mëyrë që ne t’i kthejmë sytë edhe veshët nga këto viktima të dhunës seksuale, të dhunës fizike, të dhunës emocionale, të gjitha formave të dhunës./tvklan.al



Të ngjashme