Kompania amerikane e teknologjisë Apple ka shtyrë planet e programit të saj që do të skanojë celularët iPhone të përdoruesve nëse kanë foto apo materiale të tjera që lidhen me abuzimin e fëmijëve.

Shkak janë bërë reagimet e grupeve që kundërshtojnë këtë nismë, me argumentin se cënohen të drejtat e privatësisë së përdoruesve dhe se mund të krijohet një precedent i rrezikshëm.

Jo vetëm kaq, por kritikët thonë gjithashtu se aplikimi i këtij programi mund të kalojë në abuzim nga qeveritë autoritare.

Teknologjia e quajtur “NeuralHash” do të skanojë imazhet që ndodhen në iPhone pak para se të ngarkohen në iCloud. Pas krahasimit me një bazë të dhënash të fëmijëve të abuzuar, nëse do të gjenden fotografi me përmbajtje të tillë, atëherë do të kalojnë për shqyrtim dhe llogaria e përdoruesit do të çaktivizohet. Më pas do të njoftohen edhe autoritetet e zbatimit të ligjit.

Por kritikat për shkelje të privatësisë bënë që Apple të shtyjë këtë program.

“Bazuar në reagimet e klientëve, studiuesve dhe të tjerëve, kemi vendosur të marrim më shumë kohë gjatë muajve të ardhshëm për të bërë përmirësime përpara se të vendosim në përdorim këtë program”, thuhet në një deklaratë të Apple. /tvklan.al