Ngjarja e rëndë e ndodhur në Babrru, ku një vajzë 15-vjeçare u abuzua seksualisht me dhunë nga një burrë 65-vjeçar dhe 3 persona të tjerë të moshës, 20, 16 dhe 15 vjeç ka tronditur opinionin publik.

Për të diskutuar për këtë çështje e ftuar në programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Alma Tandilli. Ajo u shpreh se gjendja emocionale e vajzës është më e qetë. Por pas publikimit dhe intervistës që vëllai dhe babai i saj dhanë në media, 15-vjeçarja është prekur më shumë emocionalisht.

Tandilli thekson se është shumë e rëndësishme që të ruhet anonimati sepse cënon më vonë zhvillimin e fëmijëve. Prandaj sipas saj, mënyra e të shprehurit dhe mënyra e qasjes, terminologjia duhet të jetë shumë profesionale, duke ruajtur etikën.

Mirela Milori: Si është gjendja e 15-vjeçares sot që flasim?

Alma Tandilli: Gjendja e 15-vjeçares në momentin që ne flasim është më e qetë se ditët e para. Vajza ka shprehur se ndihet më e çliruar që në momentin që ka bërë denoncimin sepse ka patur një ankth dhe një frikë, padiskutim që e mbante prej kohësh. Ne kemi dalë në një deklaratë për median sepse pas publikimit të vendbanimit, të gjitha ato që janë thënë, është cënuar jeta private e të miturës dhe e cila ka rënduar jashtëzakonisht shumë gjendjen emocionale dhe psikologjike të saj, pas daljes edhe të vëllait në një intervistë për një media në Shqipëri. Ne normalisht kemi reaguar sepse është detyra jonë ligjore që të kemi shumë kujdes, absolutisht që median e kemi falenderuar për përcjelljen e mesazheve. Pas publikimit dhe intervistës që bëri vëllai apo dhe babai, e mitura padiskutim ka qenë shumë herë më e prekur emocionalisht. Duhet të themi diçka, nëse fëmijët e tjerë kanë le të themi të njëjtat situata, vërtet ata ngurohen të shkojnë të bëjnë denoncimin, për shkak të mediatizimit dhe frikës që ka familja për të dalë në një intervistë ekskluzive sepse duhet të ruhet shumë anonimati. Sepse kjo gjë cënon më vonë zhvillimin e mëvonshëm të fëmijës.

Mirela Milori: Unë e kuptoj, por dhe media është në një dilemë, po mos t’i themi i mbulojmë, duke i nxjerrë ashtu si janë gjërat ndihmojmë, në sensin që tregojmë një fytyrë të vërtetë, se ne jemi një shoqëri që i mbulojmë gjërat. Në momentin që ne nxjerrim një të vërtetë ashtu siç është, mund të jetë shumë e hidhur por është. Njerëzit tronditen dhe thonë prit, ky njeriu duhet të dënohet për atë që ka bërë. Ndaj dhe ne jemi në dilemën që ndonjëherë themi më mirë të shkojmë dhe të shkelet etika, por e vërteta të dalë ashtu siç është. Kush e gjen ekulibrin midis të dyjave tani?

Alma Tandilli: Unë nuk të heq asnjë presje në atë çfarë ke thënë ti dhe çfarë po thua, por unë di të them diçka. Në emër të fëmijëve dhe në emër të Agjencisë Shtetërore Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës duhet të jemi absolutisht shumë realistë dhe duhet të jemi konçiz. Unë kam shumë besim se media ka profesionistë sot dhe nuk po them absolutisht që ne mos ta nxjerrim lajmin, por mënyrën e të shprehurit dhe mënyra e qasjes dhe terminologjia duhet të jetë shumë profesionale. Duhet ruajtur etika. /tvklan.al