Vajza tregon se ajo u përdhunua nga disa biznesmenë

Hetimet për abuzimin seksual dhe shfrytëzimin për prostitucion të 17-vjeçares nga Fushë-Kruja, kanë zbuluar një rrjet të rinjsh që merreshin me shfrytëzimin dhe trafikimin për prostitucion. Ata janë arrestuar nga policia ndërsa dyshohet se kanë trafikuar jashtë Shqipërisë edhe vajza të tjera për prostitucion.

Dëshmia e 17-vjeçares, e cila ka përmendur dy hotele në Kamëz dhe një në Fushë Krujë, ku ajo u abuzua seksualisht, ka bërë që prokuroria e Krujës të dyshojë për një rrjet prostitucioni që shtrihet nga Kruja, Nikla e deri në Tiranë.

Ndërkohë pjesë e hetimeve janë edhe disa biznesmenë guroresh në Fushë-Krujë, pasi në dëshminë e saj, vajza ka thënë se është përdhunuar nga disa persona në një prej këtyre guroreve, por nuk ua mbante mend emrat.

Ajo tregon se aty e ka çuar njëri prej shokëve të saj, duke i thënë se janë persona të rëndësishëm, por e mitura thotë se ka dëgjuar vetëm një emër “Luan”.

Familja e vajzës së abuzuar seksualisht është zhvendosur nga Fushë-Kruja. Ajo është sjellë në një qendër rehabilitimi në Tiranë, ku 3 vajzat, djali i mitur dhe nëna, janë marrë në mbrojtje.

Shkak është bërë hedhja e tritolit në banesë, menjëherë sapo 17-vjeçarja pranoi të rrëfente para hetuesve abuzimin seksual.

Të arrestuar për ngjarjen janë Leonard Stafa, Fatjon leka, Eduard Cangu, Arbin Shima dhe Ameld Merlika, ndërkohë që në kërkim mbetet Alket Brata.

Tv Klan