Gjykata e Posaçme ka dënuar 6 ish-zyrtarët e Bashkisë së Durrësit dhe 4 punonjësit e kompanive private, të cilët akuzohen për abuzim me tenderin 7 milionë lekë për të blerë shkallë zjarrfikëse të cilat nuk punonin dhe ishin jashtë funksionit.  Bazuar vendimit, Adriatik Velaj u shpall fajtor për shpërdorim detyre dhe u dënua me 11 muaj burg, ndërsa me nga 10 muaj burg secili u dënuan Muhamed Likaxhiu dhe Artan Taho.

Me akuzën e ‘shkelje e barazisë në tendera’, me 10 muaj heqje lirie u dënua Gjergj Markola dhe me 11 muaj Indrit Matmuja. Ndërsa Riza Sulaj me 11 muaj burg për ‘falsifikim të vulave’. Të dënuarit e tjerë, Albion Bushi dhe Riza Sulaj u dënuan me nga 11 muaj burg, ndërsa Elona dhe Lulzime Rami me nga 8 muaj heqje lirie.

Ata u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë manipuluar garën për tenderin me vlerë të fondit limit prej 7 milionë lekë në periudhën Maj-Qershor 2020 për blerje auto-shkallë për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin.

Gjithashtu Gjykata ka vendosur gjobë dhe ndalimin e pjesëmarrjes në prokurimet publike të disa kompanive të përfshira në këtë abuzim.

Ndërkohë tre kompanitë private u dënuan me nga 600 dhe 900 mijë lekë gjobë. Gjithashtu ndaj tyre gjykata vendosi t’i ndalojë të marrin pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike, me institucione shtetërore, qendrore apo vendore për një periudhë prej dy vjetësh.

Klan News